Drejtësia

Rrëzoi Vettingun në Gjykatën e Strasburgut, KPA prish vendimin e vitit 2019 për shkarkimin e Antoneta Sevdarit

Gazeta Si – Kolegji i Posaçëm i Apelimit, vendosi të pranojë kërkesën e Antoneta Sevdarit për të rishikuar vendimin e dhënë nga vetë Kolegji, në datën 28 shkurt 2019, që e shkarkoi atë nga detyra për parregullsi në deklarimin e të ardhurave.

Ky proces në KPA vjen pas një vendimmarrje të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila pranoi ankimin e prokurores Antoneta Sevdari dhe dënoi Shqipërinë që ta dëmshpërblente me rreth 25 mijë euro dhe sugjeroi të rishikohej vendimi i shkarkimit.

Kështu, këtë të hënë, pasi mori në rishqyrtim në seancë publike çështjen, KPA ka vendosur që rasti i Antoneta Sevdarit do të gjykohet edhe njëherë në themel.

Po ashtu është vendosur “prishja e vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (JR) nr. 6, datë 28.02.2019 dhe rigjykimi i çështjes gjyqësore të juridiksionit të rivlerësimit (JR) nr.17, datë 13.09.2018 që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 42, datë 18.07.2018”, – thuhet në një njoftim për shtyp.

KPA ka vendosur që seanca gjyqësore publike për vazhdimin e gjykimit të çështjes në themel do të zhvillohet në datën 17.04.2024, ora 10:00.

Kjo është hera e parë që një vendim shkarkimi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me formë të prerë rimerret në shqyrtim, duke shënuar një ndër rastet kur procesi i Vettingut merr notë ngelëse në Strasburg.

Gjykata e Strasburgut dënoi Shqipërinë me dëmshpërblimin e ish-prokurores me disa paga prej rreth 25 mijë eyrosh dhe sugjeroi të rishikohej vendimi i shkarkimit të saj, pasi i janë shkelur disa të drejta gjatë rivlerësimit kalimtar.

Kërkesa e Sevdarit për rishikim në Kolegj erdhi pasi Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, GJEDNJ gjeti shkelje të nenit 8 të Konventës në rastin e shkarkimit të saj nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Gjykata vuri në dukje se vendimi i shkarkimit ishte “disproporcional”, por theksoi se rasti i Sevdarit duhet të konsiderohet përjashtimor dhe se nuk mund të kthehet në një referencë kundër procesit të Vettingut në tërësi.

Prokurorja Sevdari kaloi pa probleme në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, por Komisioneri Publik ankimoi vendimin e KPK-së, për hetim jo të plotë në lidhe me dyshimin se i janë gjetur parregullsi për burimin e ligjshëm të të ardhurave, të deklaruara nga emigracioni i bashkëshortit gjatë viteve 1997-2004.

Në 23 korrik 2023, qeveria njoftoi se do të dëmshpërblejë me mbi 24 mijë euro ish-prokuroren Antoneta Sevdari, e cila fitoi gjyqin në Strasburg kundër Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për shkarkimin nga detyra nga sistemi i drejtësisë.

Në vendimin e qeverisë, thuhet se 19.600 euro do t’i marrë në lidhje me dëmin pasuror dhe jo-pasuror, si dhe në shumën 5.000 euro si kompensim, në lidhje me kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.

Kështu, 5 vite nga shkarkimi me vendim të formës së prerë nga Kolegji i Posaccëm i Apelimit, Antoneta Sevdari do të rivlerësohet nga Vettingu, ndërkohë që zyrtarisht nuk është më e përjashtuar nga sistemi i drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë