Gazeta Si – Policia ka nisur aksionin për ndalimin e përkohshëm të monopatinave elektrike, pasi këto mjete janë kthyer në një rrezik serioz për qytetarët, duke shkaktuar me dhjetëra aksidente.
Në disa pika të Tiranës qëndrojnë policë të cilët kanë bllokuar monopatinat e personave që i kanë përdorur pavarësisht njoftimit të policisë.
Me dhjetëra qytetarë u ndaluan duke lëvizur me këto mjete. Ky vendim u respektua nga pjesa më e madhe, por ka edhe nga ata qytetarë të cilët janë të pakënaqur.
Bllokimi i mjeteve elektrike me dy rrota erdhi pas shtimit të numrit të aksidenteve rrugore. Gjithashtu, për shkak se përdoruesit e tyre kryejnë shkelje të tilla si qarkullimi në sens të kundërt, jo në korsinë e duhur, nuk respektojnë sinjalistikën horizontale dhe vertikale, nuk përdorin kaskë mbrojtëse dhe natën nuk përdorin jelek fosforeshent.
Autoritetet njoftuan se kjo masë ndalimi do të vijojë deri në saktësimin e rregullave dhe hapësirave ku përdoruesit e këtyre mjeteve do të kalojnë.
Lajmin e ndalimit e bërë të ditur një ditë më parë, ministrja e Brendshme, Albana Koçiu dhe Drejtori i Policisë së Shtetit Ilir Proda, por pa specifikuar mënyrën dhe kriteret në detaje.
Ministrja theksoi se i ka kërkuar Policisë së Shtetit që të mos lejojnë qarkullimin e monopatinave elektrike në rrugë.
“Ata që e shohin monopatinën si mënyrë biznesi, duhet ta kenë të qartë që të mos investojnë në këtë aktivitet. Ne do të hartojnë rregulla të qarta dhe të zbatueshme nga të gjithë. Do qartësojmë se cilat janë korsitë, rrugët apo hapësirat ku monopatinat elektrike mund të përdoren dhe ku jo, si dhe kritere për moshën e përdorimit, masat mbrojtëse si kaska, ndriçimi apo shpejtësia e lejuar”, shtoi ministrja e Brendshme.
Sipas Koçiut, “këto mjete përbëjnë rrezik për të miturit dhe të moshuarit që lëvizin në rrugë, por edhe vetë përdoruesit e tyre”.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shtoi se “Përdorimi i këtyre mjeteve shkakton rrezik imediat për sigurinë publike. Janë 991 raste të raportuara nga urgjenca për aksidente me këto mjete. Ka pasur edhe fatalitete mes këtyre rasteve”, tha nga ana e tij Proda.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



