Është mbajtur konferenca e 7-të vjetore të Kërkimeve e organizuar nga Banka Kombëtare e Republikës së Maqedonisë, me temë “Rreth një dekadë pas krizës: drejt një cikli të ri global dhe normalizimit të politikës monetare”, ku i pranishëm ka qenë edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Fokusi i kësaj konference qëndronte në trajtimin e eksperiencave dhe konkluzioneve të nxjerra nga kriza, si dhe të nevojave të mundshme për ridizenjimin e politikave në adresimin e duhur të një mjedisi në ndryshim.
Diskutimet e këtij paneli u fokusuan në sfidat me të cilat përballen bankat qendrore një dekadë pas krizës dhe zhvillimet ekonomike të vendeve; rolin e bankave qendrore në rritjen ekonomike nëpërmjet ruajtjes së stabilitetit financiar; politikat monetare dhe masat e ndryshme të aplikuara në këtë drejtim.
Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të situatës ekonomike shqiptare duke u ndalur te zhvillimet ekonomiko-financiare dhe ndikimet e mundshme të normalizimit të politikës monetare. Ai theksoi se Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të marrë të gjitha masat e nevojshme duke dhënë kontributin e saj në mbështetje të një rritjeje ekonomike të qëndrueshme dhe garantimit të stabilitetit makroekonomik të vendit. Ai shtoi se politika monetare lehtësuese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka ulur kostot e financimit të sektorit privat, ka nxitur rritjen e kreditimit në lekë dhe ka ndihmuar në përmirësimin e gjendjes financiare të huamarrësve.
Prioritetet e ardhshme të Bankës së Shqipërisë janë orientuar më së shumti drejt identifikimit të masave për nxitjen e kreditimit, vazhdimin e planit të masave për reduktimin e kredive me probleme dhe forcimin e stabilitetit financiar.
Një tjetër çështje e trajtuar nga Guvernatori, ishte dhe rëndësia e kombinimit të duhur të politikave makroekonomike ku një rol kyç luan koordinimi i politikës monetare me atë fiskale.
Guvernatori Sejko nënvizoi rëndësinë e reformave të mëtejshme për të përmirësuar modelin e zhvillimit të vendit dhe ambientin e biznesit, si dhe për të ecur përpara në procesin e integrimit.
Në përfundim, Guvernatori Sejkou shpreh se e ardhmja politike afatgjatë dhe prosperiteti ekonomik, lidhen ngushtë me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ai shtoi se bashkëpunimi dhe kuadri institucional kanë rol kontribues në procesin e konvergjencës, megjithatë bankat qendrore, si politikëbërës,duhet të marrin masat e nevojshme për përgatitjen e ekonomisë për procesin e anëtarësimit.
Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.