Arsim

Rreth 70% e fëmijëve romë nuk ndjekin arsimin parashkollor

Sipas të dhënave të INSTAT, shumica e fëmijëve shqiptarë e ndjekin arsimin parashkollor, ndërsa përqindja e regjistrimit për fëmijët romë në Shqipëri raportohet të jetë 33 për qind. 

Këto shifra bazuar të dhënave nga Eurostat janë shumë më të ulëta se sa niveli mesatar prej 95 për qind i fëmijëve nga mosha katërvjeçare deri në moshën e ndjekjes së arsimit fillor të detyruar që marrin pjesë në arsimin në fëmijërinë e hershme në 28 vendet e BE-së.

Agjencia Kombëtare për të Drejtat e Fëmijës bën me dije se 65 për qind e fëmijëve trevjeçarë ndjekin programet e arsimimit në fëmijërinë e hershme, krahasuar me 80 për qind të fëmijëve të moshës katërvjeçare.

Shumica e fëmijëve (73%) nga familje me kryefamiljarë burra ndiqnin arsimin në fëmijërinë e hershme, krahasuar me 66 për qind të fëmijëve nga familje me kryefamiljare gra, gjë që tregon rëndësinë e mirëqenies ekonomike të familjeve për sa u përket mundësive për kujdes të hershëm për fëmijët.

Raporti i UNICEF bën me dije edhe se fëmijët në zona urbane kanë më shumë gjasë të jenë të ekspozuar ndaj aktiviteteve stimuluese në tri ditët përpara studimit, 96 për qind e tyre me nënat, 62 për qind me baballarët dhe 61 për qind me një person tjetër, krahasuar me 87 për qind, 52 për qind dhe 52 për qind përkatësisht në zonat rurale.

“Gjithashtu, fëmijët në kuintilin më të lartë te statusit ekonomik kanë më shumë gjasë të ekspozohen ndaj aktiviteteve stimuluese, 96 për qind me nënat dhe 74 për qind me baballarët e tyre, krahasuar me 85 për qind dhe 45 për qind, përkatësisht, në kuintilin më të ulët të statusit ekonomik.”

Në vitin 2016, MASR-ja miratoi një Kornizë të re Kurrikulare për Parashkollorin bazuar në kompetenca, në përputhje me teoritë dhe praktikat bashkëkohore të zhvillimit të fëmijës, si dhe kreu në vitin 2018 ndryshimet ligjore që parashikuan standardet e reja minimale dhe procedurat e përzgjedhjes së drejtorëve të parashkollorit.

Megjithatë, cilësia e stafit të mësimdhënies dhe kushtet fizike të parashkollorit mbeten ende sfida kyç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë