Gazeta Si – Një sasi prej rreth 50 gram është sasia e eksplozivit të vendosur në mjetin e kreut të degës së PD-Rithemelimit në Bashkinë e Vaut të Dejës, Benard Ndrecës. Ky është përfundimi i arritur nga forcat xhenio pas ekspertimit të mjetit.
Sipas burimeve të grupit të ekspertëve, sasia e vogël e lëndës plasëse dyshohet se ka qenë shkaku që Ndreca nuk pësoi dëmtime të rënda trupore.
Ai doli nga makina me këmbët e tij pas shpërthimit, duke nënkuptuar se autorët kanë dashur të lënë si mesazh një formë kërcënimi.
Një ditë pas ngjarjes, në Policinë e Shkodrës janë shoqëruar 6 persona, ndërkohë që ende nuk ka persona të ndaluar sit ë dyshuar.
Grupi i ekspertizës po analizon në detaje mjetin e kreut të PD-së në Vaun e Dejës, në mënyrë që të arrihen të gjenden gjurmë të mundshme të autorëve gjatë momentit të vendosjes së lëndës eksplozive edhe pse ka pak mundësi që ajo të ndodhë për shkak të shpërthimit të fuqishëm.
Banesa e Ndrecës ka qenë e rrethuar me kamera sigurie, ndërsa ato janë sekuestruar nga hetuesit, pasi kanë filmuar edhe momentin që dy autorët kanë vendosur tritolin në gomën e parë të makinës gjatë natës.
Benard Ndreca, në një prenoncim për mediat u shpreh se nuk ka konflikte me asnjë dhe se ky është një sulm i hapur politik.
Ai i bëri thirrje politikës që të distancohet nga këto akte dhe të lënë qytetarët të lirë të votojnë. Ngjarja është dënuar edhe nga politika shqiptare, ndërsa kreu i PD-Rithemelimit, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Rama dhe ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi si “autorë”.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 07:10 të mëngjesit të së martës, kur Ndreca sapo i dha gaz makinës ndodhi shpërthimi, ku shpëtoi për mrekulli.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.