Rend dhe Ligj

4 mijë karta sim britanike me postë në Rinas, do përdoreshin nga grupet kriminale

Gazeta Si – Thuajse 4.000 mijë karta sim, që dyshohet se do përdoreshin nga grupet kriminale, janë sekuestruar në aeroportin e Rinasit në Tiranë.

Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetimet e përbashkëta me britanikët për një rrjet të mundshëm të trafikut, që sipas hetuesve, do përdoreshin për komunikimet e grupeve kriminale.

Ato janë blerë në Angli dhe kanë ardhur në vendin tonë me postë 10 ditë më parë. Shqiptari në emër të cilit ishin porositur kartat, me iniciale M.H., ka mohuar të ketë dijeni që ato janë në emër të tij.

Policia shkencore ka konfirmuar se ai komunikonte edhe me shtetas të huaj në Francë, edhe shqiptarë, që i ka vënë në dijeni se i kanë ardhur kartat.

“Njësia “C” për Hetimin e Krimit Kompjuterik, më datë 09.06.2022, ka referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasit M. H., për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Shitja e paautorizuar e kartave SIM”, pasi në adresë të këtij shtetasi, ka ardhur me postë, në Rinas, një pako postare me 3991 karta SIM angleze”, thuhet në një njoftim.

Kartat pas gjurmës në skaner si pako e dyshimtë, janë kontrolluar fizikisht nga Policia e Rinasit.

Kartat janë aktive me PIN e PUK, çka ka bërë që policia të vihet në lëvizje, pasi duke u shitur në treg të zi, mund të përdoren për shpërthime të bombave me celular, shantazheve, mesazheve në aplikacionet e koduara dhe thirrjeve nëpërmjet “data use”.

Një nga mënyrat se pse mund të shiten në tregun e zi, përveç mashtrimit kompjuterik, është se falë kartave mund të komunikohet me numër telefoni të huaj që të mos përgjohen. Më herët, është përdorur për këtë arsye nga persona të botës së krimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë