Një atentat ka tronditur mesditën e sotme qytetin e Rrëshenit. 48-vjeçari, Tonin Gjini është ekzekutuar me armë zjarri dhe ka ndërruar jetë në spital. Viktima ishte me familjen e tij duke lëvizur në qendër të qytetit të Rrëshenit.
Policia në njoftimin e saj për mediet në lidhje me këtë ngjarje nuk kishte shumë detaje, por specifikoi që janë ngritur disa pika kontrolli dhe se është duke u bërë krehja e zonës.
“Në qytet Rrëshen, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi A.Gj. vjeç 48, banues në Rrëshen. Grupi hetimor në vendngjarje vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Janë ngritur pika kontrolli si dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim kapjen e autorit” informoi policia.

Sakaq është mësuar edhe dinamika e kësaj ngjarje. Tonin Gjini që ndryshe njihej edhe si Antonio Gjini ishte bashkë me gruan dhe dy fëmijët në makinë. Në një moment, kur gruaja doli nga marketi dhe viktima ishte vetëm me dy fëmijët në makinë, aty është afruar një mjet me xhama të errët. Nga kjo makinë erdhën dhe breshërimat e armës që i morën jetën 48-vjeçarit.
Tonin Gjini kishte qenë në skedarët e policisë edhe më herët, pasi në muajin maj atij i është gjetur një sasi tritoli në shtëpi, por që në atë kohë u zbulua. Në atë periudhë ai arriti të mbijetonte edhe falë ndërhyrjes së FNSH, që udhëtuan drejt Rrëshenit për të çaktivizuar plot 700 gramë tritol. Por jo vetëm kaq. Gjini ishte një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi ai njihej në zonë si anëtar i bandës së Met Kananit.

Banda e Met Kananit
Tonin Gjini përmendet për herë të parë si një nga anëtarët e bandës së Met Kananit. Kjo organizatë që merrej kryesisht me trafikimin e lëndëve narkotike u godit në verën e vitit të shkuar. Kanani dënimin e parë aktivitete të jashtëligjshme e kreu në SHBA. Aty ai u dënua nga gjykata me 3.5 vite burg pasi akuzohej se kishte futur sasi metamfetamine (MDMA) apo ekstazie. Edhe pse ai e apeloi këtë vendim me pretendimin se kjo substancë ishte e lejuar në SHBA, Gjykata nuk e mori parasysh këtë kërkesë dhe e dënoi atë. Ndërkohë në Shqipëri si pjesëtarë të kësaj bande u arrestuan nga policia 13 anëtarë të tjerë të grupit.
Veprimtaria kryesore e kësaj bande ishte kryesisht me trafikimin e drogërave të forta nga Turqia drejt vende të Bashkimit Europian. Linjat që banda e Met Kananit zotëronte ishin dy, Turqi – Greqi – Shqipëri – Vendet e BE dhe Turqi – Rumani – Maqedoni – Shqipëri – Vendet e BE. Aktualisht, Met Kanani është duke vuajtur dënimin e tij në një burg të sigurisë së lartë në Turqi.
Makinë e djegur në dalje të Rreshenit, dyshimet që e lidhin me atentatin
Vetëm pak orë pas atentatit në qendër të Rrëshenit, një makinë është gjetur e djegur në dalje të këtij qyteti.
Makina është gjetur në zonën e quajtur, Kodër Rrëshen dhe dyshimet e para të policisë se është pikërisht mjeti që kanë përdorur vrasësit e Tonin Gjinit.
Makina është gjetur e shkrumbuar nga flakët rreth orës 13:30, që përkon vetëm pak orë pas vrasjes në qendër të Rrëshenit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




