Art dhe Kulture

Rrënimi i “Kafes së Madhe”, godinës simbol të Shkodrës

Kafja e Madhe në Shkodër, një godinë historike për nga arkitektura, por edhe nga rëndësia kulturore, si monument kulture i kategorisë së parë është shembur, rrënuar totalisht.

Ka qenë gazetarja Anisa Ymeri që ka publikuar disa foto nga vendi i rrethuar. 

“Është Kafja e Madhe në Shkodër! Është monument kulture i kategorisë së parë! Është e rrafshuar! Është bërë PLUHUR e gjithë godina! Veç ndonjë metri muri anësor dhe fasadës…”, shkruar Ymeri në “Facebook”, teksa bashkëngjit dhe fotot e godinës historike të rrethuar.

Në vitin 2007, Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve e shpalli “Monument Kulture të Kategorisë së Parë”, por përveç vendosjes së një pllake, nuk bëri asgjë që të mund të ndalte degradimin e godinës simbol.

Para se të quhej “Kafja e Madhe”, godina pati tre emra: Fillimisht quhej Kafe “Adriatik”.

Më pas u quajt Kafe – Hotel “Park” dhe në fund, me ardhjen e malazezëve “Grand Hotel Savija”. Por gjithnjë, prej përmasave që për kohën nuk mund të imagjinoheshin, për të gjithë ruajti emrin Kafja e Madhe.

Kafja e Madhe në Shkodër është ideuar nga mjeshtri i madh, Kolë Idromeno.

Me të përfunduar ndërtimin, Kafja e Madhe filloi të frekuentohej jo vetëm prej të huajve, por edhe prej shkodranëve, dhe u kthye shumë shpejt në strehën ku takoheshin intelektualë. Nëse vërtet Shkodra është djepi i kulturës, Kafja e Madhe është vendi ku është diskutuar më së shumti për kulturë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë