Gazeta Si – Altin Hajri, pronar i kompleksit “Golden” në Shijak, është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar i akuzuar si pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal që ka kryer rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, ngjarje e ndodhur 3 vite më parë.
Ai akuzohet për veprat penale të rrëmbimit apo mbajtjes peng të personi, ku është shkaktuar vdekja, mbajtja pa leje e armëve luftarake, fshehje dhe asgjësim kufome, si dhe grup të strukturuar kriminal.
LEXO EDHE:
– Dëshmia e bashkëshortes së Jan Prengës: Dy ditët e fundit ishte shumë i shqetësuar
– Ekskluzive nga garazhi i Hajrajve/ Hap pas hapi, 24 orët e rrëmbimit të Jan Prengës në foto
– Ekskluzive/ Fotot e “kokës” së grupit dhe momentet e rrëmbimit të Jan Prengës
SPAK bën me dije se hetimet në lidhje me këtë çështje janë duke vazhduar, ndërsa Altin hajri vijon të jetë i shpallur në kërkim nga policia si i dyshuar për këtë ngjarje kriminale.
Më herët në lidhje me rrëmbimin e Jan Prengës, SPAK ka ngritur akuzë edhe ndaj Dritan Rexhepit, Gentjan Funiqit, Martin Bletës, Korado Kështenjës, Artan Doçajt, Aldo Majnishtës dhe Geraldo Martinit.
Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz më 17 Janar 2020 dhe prej gati 3 vitesh trupi i tij nuk është gjetur. Kompleksi ‘Golden’ në Shijak u kthye në skenën e krimit për Jan Prengën.
Policia, me anë të pamjeve filmike provoi praninë e trupit të tij dhe vendosi pas hekurave Leonard Hajrin, Bajram Hajrin, Festim Bexhdilin, Olsi Turjan, si dhe Ardian Doçajn. Megjithatë, sot po vuan burgun vetëm kopshtari i kompleksit, Festim Bexhdili.
Sipas hetimeve, Dritan Rexhepi, i cili është zhdukur pas lirimit me kusht në shtetin e Ekuadorit dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) me precedent penal në fushën e narkotikëve, në fund të muajit dhjetor 2019, kanë urdhëruar rrëmbimin e viktimës me banim në Kamëz.
Funiqi u ndalua në Spanjë me dokumente të falsifikuara dhe aktualisht është në pritje të vendimit për t’u ekstraduar drejt Shqipërisë, ku do të përballet dhe me akuzat për zhdukjen e Jan Prengës.
Po cili ishte shkaku i kësaj ngjarjeje? Kjo, pasi Astrit Prenga, vëllai i viktimës vodhi një sasi kokaine në Portin Portsmouth të Anglisë, që u përkiste atyre, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli.
Ky rrëmbim është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike.
Jan Prenga u ekzekutua me urdhër nga “kokat” e bandës, për shkak të një sasie prej 283 kg kokainë, që vëllai i tij, Astrit Prenga mbante peng në Angli dhe nuk e tregonte se ku e kishte çuar.
Altin Hajri, i shpallur në kërkim për pengmarrjen e Jan Prengës, në tetor të vitit 2015, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, i dyshuar si koka e një rrjeti të trafikut të drogës nga Afganistani në Itali.
Mirëpo 8 muaj më vonë, në 2016-ën, autoritetet italiane pushuan hetimin ndaj tij, duke hequr emrin e tij nga listat e të kërkuarve.
Në Shqipëri, Altin Hajrit iu bllokuan pasuri me vlerë rreth 10 milionë euro. Të dyshuar si pjesë e këtij trafiku, në atë kohë u arrestuan në qytetin e Durrësit edhe djali i xhaxhait të Altin Hajrit, dhe një kushëri tjetër i tij, Hajri Balla dhe Fortuz Hajri, 53 dhe 24 vjeç, të dy banues në Shijak.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.