Arsim

Rregullat-Si do t’i hapë Italia shkollat

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini dhe ajo e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftuan këtë të martë se plani i Qeverisë është rihapja e shkollave. Por, asnjëra prej ministreve nuk foli për protokollin e sigurisë që do të zbatohet, përveçse nënkuptuan se çdo hap që do të hidhet për hapjen e shkollave do të koordinohet me përgjegjësi maksimale për të garantuar distancimin social, si dhe vlerësimin dinamik të situatës epidemiologjike në vend.

Në ndihmë të autoriteteve shqiptare mund të mbërrijë protokolli i sigurisë së miratuar nga autoritetet italiane disa ditë më parë. Gazeta “Si” po ju sjell në mënyrë të përmbledhur parashikimet e protokollit të sigurisë me anë të të cilit Italia synon hapjen e shkollave duke filluar nga data 24 gusht.

Numër jeshil

Duke filluar nga data 24 gusht, autoritetet italiane do të aktivizojnë një numër jeshil pa pagesë për të gjitha shkollat. Përmes kësaj linje do të adresohen të gjitha shqetësimet e prindërve, nxënësve dhe të mësuesve mbi masat e sigurisë dhe zbatimin e tyre. Shqetësimet adresohen drejtpërdrejtë në një këshill të përhershëm ekspertësh kombëtarë të arsimit, shëndetësisë dhe të shoqërisë civile. Ky këshill më pas vendos marrjen e masave, e deri në mbylljen e një shkolle të caktuar, në varësi të vlerësimit të situatës së krijuar. Po ashtu, nëpër shkolla do të patrullojnë vazhdimisht grupe të lëvizshme të emergjencës të ngritura nga autoritetet shëndetësore.

Me temperaturë mbi 37.5 askush nuk hyn në shkollë

Parashikimi i dytë është matja e detyrueshme e temperaturës. Për mësuesit, nxënësit apo prindër që kërkojnë të vizitojnë ambientet e shkollës për të cilët termometri regjistron 37.5, ose më shumë nuk do të lejohet kategorikisht hyrja. Personat që identifikohen me temperaturë duhet të telefonojnë menjëherë mjekun e familjes. Ndalohet gjithashtu edhe grumbullimi në ambientet publike të shkollave, si bare apo restorante. Me detyrim është ruajtja e distancës prej 1 metër dhe higjiena personale. Për këtë arsye, shkollat do të pajisen me sinjalistikën e nevojshme, ndërsa në rastet e të miturve, mësuesit janë udhëzuar që të urdhërojnë herë pas herë larjen e duarve të tyre dhe dezinfektimin e ambienteve.

Rregulla edhe për hyrjen dhe daljen

Hyrjet dhe daljet do të jenë të ndryshme. Kjo do të thotë se në shkollat që kanë vetëm një derë që shërben si për të hyrë, ashtu edhe për të dalë ka nisur puna për hapjen e një dere tjetër. Institucionet arsimore duhet t’u komunikojnë mësuesve, nxënësve, studentëve, personelit tjetër të shkollës dhe kujtdo tjetër rregullat që duhen respektuar për të shmangur grumbullimet. Për këtë qëllim shërbim edhe sinjalistika që do të vendoset në dysheme dhe kufizimi i hyrjes për vizitorët e jashtëm. Gjithashtu, hyrja e një personi që ka qenë i prekur me Covid-19, duhet të shoqërohet gjithmonë me rezultatin negativ të analizave.

Pastërtia dhe higjiena

Pastrimi dy herë në ditë i ambienteve të shkollës, ku në njërin prej këtyre pastrimeve duhet të përdoret edhe alkool për dezinfektimin e ambienteve ku qëndrojnë mësuesit dhe nxënësit, sidomos tavolinat. Nëse një orë mësimi zhvillohet jashtë ambienteve të shkollës, atëherë pronarët e ambientit përkatës duhet të sigurojnë një certifikatë të zbatimit të kritereve të sigurisë anti-Covid19.

Higjiena dhe masat mbrojtëse personale

Hyrja në ambientet e shkollës do të jetë e detyrueshme me maska dhe përdorimin e mjeteve dezinfektuese. Maskat nuk do të përdoren për moshën në 6 vjeç, ndërsa për nxënësit me moshën nga 6 deri në 16 vjeç, komiteti teknik italian do të vendosë në javën e fundit të gushtit, nëse duhet të mbajnë maskën në ambientet e shkollës, apo jo.

Mbështetja psikologjike

Ministria italiane e Arsimit ka arritur një marrëveshje me Urdhrin e Psikologëve, sipas të cilës do të organizohen periodikisht fushata me specialistë nëpër shkolla për të ndihmuar nxënës e mësues në përballimin e ankthit që grumbullohet nga situata e pasigurisë.

Trajtimi i një personi simptomatik brenda dhe jashtë shkollës

Në rastet kur një person shfaq në shkollë temperaturë, ose simptoma të tjera të ngjashme me ato të Covid-19 duhet të izolohet menjëherë në një ambient të institucionit deri në mbërritjen e grupeve mjekësore që do të kryejnë analizat dhe nxjerrin rezultatin e tyre brenda ditës. Në rastet kur personi në fjalë rezulton pozitiv, atëherë ai duhet të vendoset në karantinë dhe të kryhet hetimi epidemiologjik. Për karantinimin 14-ditor të shkollës, apo jo pritet një vendim tjetër i autoriteteve italiane, ku versioni më i mundshëm është ai i karantinimit të të gjithë klasës dhe stafit që ka qenë në kontakt të ngushtë me personin e identifikuar pozitiv.

Gjurmimi i kontakteve dhe sistemi shëndetësor

Do të ngrihet një sistem i përbashkët ndërlidhes mes sistemit arsimor dhe atij shëndetësor. Detyra kryesore e këtij sistemi do të jetë identifikimi dhe gjurmimi i personave që kanë qenë në kontakt me një person që ka dalë pozitiv. I gjithë personeli dhe nxënësit e një institucioni arsimor ku identifikohet një person pozitiv do t’i nënshtrohen menjëherë testimit falas për virusin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë