Art dhe Kulture

Rrëfimi i të nipit: Amaneti i Arshi Pipës…

Nga Luljeta Nelallari- Një intelektual i lindur, rebel, disident i pandreqshëm dhe një jetë mes kampesh, burgjesh, arratisjesh... kjo është figura e Arshi Pipës, poetit dhe kritikut të zëshëm të letrave shqipe.

Ai ishte pjesëtar i një familjeje shkodrane patriotësh dhe të përndjekurish. Gjithnjë në mbrojtje të vlerave dhe fjalës së lirë, Pipa përbënte një risi në kulturën shqiptare dhe la gjurmë të pashlyeshme në të.

Por si ishte rrugëtimi i tij në vitet e diktaturës në Shqipëri dhe jeta e tij jashtë vendit? Çfarë mendonte për sistemin diktatorial, cilat ishin brengat që e preokuponin, lidhjet me familjarët, etj?

I nipi i tij, Plator Katakula rrëfen për Gazetën “Si” detaje të jetës së Pipës. Katakula e sheh arratisjen e tij në një moment dhe kontekst historik për vendin.

“Arratisja e Arshiut vjen në një kontekst historik interesant për vendin sepse ai u dënua me dhjetë vjet burg nga ‘46-’56, ku shumicën e kohës e kreu në Burrel, por ka qenë në Gjirokastër në fillim, ndërsa në Durrës u arrestua. Ka qenë edhe në kampin e Maliqit. Aty bëri dhe poemën ‘Kanali’, etj. Pastaj u lirua në periudhën ku kishte një lloj zbutjeje të frymës së luftës së klasave”, thotë Katakula.

Plator Katakula, nipi i Arshi i Pipës

I nipi rrëfen për Pipën se ai nuk besonte në një liberalizim të jetës në Shqipëri e për pasojë iu desh të largohej.

“Nuk është se Arshiu besonte shumë se do të kishte një liberalizim të jetës së vend dhe fakti që ndihej i rrezikuar e mund ta arrestonin prapë, ai vendosi të largohej nga atdheu”, rrëfen nipi i tij.

Por a kaloi Pipa nëpër peripeci për të kaluar kufirin? Katakula tregon për babain e Pipës dhe marrëdhëniet e tyre familjare.

Më vonë e kam marrë vesh se neve si familje, pra gjyshi në Shkodër, i ati i Arshiut që ishte avokat, kishte pasur mes të tjerave klientë që i kishte ndihmuar. Kishte ndihmuar kështu edhe njërin prej tyre, që kishte fituar një gjyq me të drejtë, dhe ishin këta që u organizuan për ta ndihmuar në këtë rast Arshiun për të kaluar kufirin dhe këta njerëz unë i kam takuar vetëm në vitin 1992, sepse ishin të fshehtë. Edhe neve në familje nuk i dinim se kush kishin qenë. Pra, praktikisht Arshiu iku me të motrën, pra tezen time të madhe, e cila ishte ndërkohë e fejuar me një shtetas malazez”, thotë ai.

Në këtë mënyrë fillon një jetë e re për intelektualin Pipa me një rrugëtim të gjatë në mësimdhënie edhe në Amerikë.

Në Amerikë Arshiu ka dhënë mësim. E filloi karrierën në Amerikë në mësimdhënie, ku pas dhënies së mësimeve në shumë universitete, ai fitoi titullin ‘Full Professor’, që në Amerikë është i vështirë për t’u dhënë. Por edhe atje kur ishte në Universitetin e Kalifornisë”, ndërsa shton se edhe atje Pipa u rreshtua me studentët amerikanë për lëvizjen e fjalës së lirë në Amerikë.

Në mënyrën si e përcaktoi regjimi intelektualin Pipa, ai sheh një perceptim të gabuar. Sipas tij qasja e Pipës ishte patriotike dhe antitotalitare. 

Arshi Pipa është perceptuar gabimisht në Shqipëri si njeri politik. Mënyra sesi e përcaktoi atë regjimi, duke u konsideruar e duke e etiketuar si armiku numër një dhe duke i veshur histori të tjera të kota. Në fakt, Arshiu nuk ishte njeri politik. Mund të ishte pak i majtë në bindjet e tij “alla europiane”, duhet të ishte i bazuar tek social-demokracia, por ai ishte antikomunist, sepse ishte anti-totalitar, ishte patriot”, thekson Katakula.

Si familjar i tij ai do të donte që një figure si atij “t’i hiqnin etiketimet politike ‘i majtë’ apo ‘i djathtë’. Këto nuk i shkojnë Arshiut...”, shprehet më tej Katakula.

Ai veçon takimin e fundit me dajën e tij në shtëpinë e tij të vogël dhe amanetin...

“Takimi i fundit me të ishte në vitin 1996 në shtator. Ishte pak sëmurë në atë kohë. Ne bëmë një bisedë te shtëpia e tij e vogël. Ai kishte lënë mjekrën e bardhë dhe dukej si një patriark. Nuk e pashë më pas asaj here, sepse ai u largua nga jeta në qershorin e 1997-s”.

Arshi Pipa la dhe një amanet pas vdekjes dhe Katakula thotë se “amaneti ishte të digjej pas vdekjes dhe hiri t’i hidhej në det në Shqipëri. Kjo u krye nga familja dhe të afërmit dhe dashamirësit në një ceremoni në Durrës në vitin 1998”.

“Për sa i përket rolit të tij kulturor, do të ishte shumë më tepër i pranishëm në kurrikulat mësimore në Shqipëri”, përfundon i nipi.

Arshi Pipa ka lindur plot 100 vjet më parë dhe 100-vjetori i Pipës u përkujtua nga Qendra Kombëtare e Librit edhe Leximit ku u bënë bashkë studiuesit Primo Shllaku, Leka Ndoja, Hektor Çiftja, botuesja Irena Buzi, të cilët u ndalën më shumë në rëndësinë e veprës së tij.

Veprimtaria e Arshi Pipës përfshin fusha të artit letrar, të filozofisë, estetikës, kritikës letrare, folklorit, folkloristikës, gjuhësisë, politikës, publicistikës. Vëllimin e parë poetik me titull “Lundërtarët”, një përmbledhje lirikash e botoi në vitin 1944. Të dytin, “Libri i burgut” të shkruar në letra cingaresh, në burgje, e botoi në Romë në vitin 1959. Është një përmbledhje liriko-epike, pasqyrë artistike e motiveve që i diktoi jeta e qelive dhe e kampeve, ku kaloi dhjetë vjet.

Po ashtu ka sjellë në shqip vepra poetike nga latinishtja, italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja dhe anglishtja. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë