Njerez

Rrëfimet / Çfarë ndodh në lagjet e varfra të Marsejës, aty ku plasën më shumë trazirat: Ne, për politikanët jemi asgjë  

Nga Jenny Hill- Amine ishte 17 vjeç kur trupi i vëllait të tij u gjet në bagazhin e një makine të djegur.

“Vëllai im për fat të keq iu fut drogës herët,” thotë ai, teksa hedh vështrimin drejt banesave të larta që na rrethojnë.

Ne ulemi, duke folur për vëllain e tij, i cili ishte marrë me drogë para se ta vrisnin, në një nga lagjet më famëkeqe të Marsejës.

Amine, tani 19 vjeç, u rrit në zonën Frais-Vallon, ku ishte projektuar për banesa sociale në veri të qytetit, që është shkatërruar nga dhuna si pasojë e bandave dhe trafikimit të drogës.

Jo shumë larg, një çift të rinjsh rrinë ngjitur pas një muri. Tregtarët e drogës punojnë hapur në këtë zonë në rrezet e diellit të pasdites.

Ne foto: Amine Kessaci duke folur per “BBC”

Trafikimi, thotë Amine, shihet si një zgjedhje joshëse për fëmijët që rriten këtu dhe kanë pak para, e akoma më pak perspektivë.

“Nuk ka alternativa të tjera. Nuk ka kompani që vijnë këtu dhe thonë se ne do t’ju paguajmë më shumë se paga minimale… këtu njerëzit janë arkëtarë supermarketesh, pastrues apo roje sigurie. Ne nuk mund të jemi gjyqtarë, avokatë apo kontabilistë”

Ai nuk u befasua nga trazirat e fundit, të cilat ishin veçanërisht të këqija në Marsejë. Bizneset këtu duke përfshirë një dyqan armësh u vandalizuan dhe një burrë 27 vjeç u vra.

Prokurorët thonë se njeriu që vdiq u godit në gjoks nga një  plumb gome që zakonisht përdoret nga policët i quajtur “flashball”.

Mendohet se ai ka pësuar një atak në zemër por rrethanat janë të paqarta.

Trazirat pasuan protestat pas të shtënave fatale nga policia ndaj 17-vjeçarit Nahel M në Paris.

“Ne jemi gjithnjë në të njëjtin rrëmujë, të njëjtin mjerim dhe asgjë nuk do të ndryshojë,” thotë Amine, “kështu që e kuptoj zemërimin e të rinjve. Nuk e justifikoj dhunën, por e kuptoj”.

Trazirat dhe pasojat e tyre kanë zbuluar se sa i thellë është  zemërimi, zhgënjimi dhe braktisja nga kaq shumë qytetarë francezë.

Ne takuam Mado, një grua e moshës së mesme që jeton po në këtë zonë e ulur në një vend që dikur ishte një stacion policie.

Ai stacion ishte, për shumë, një lidhje fizike mes tyre dhe shtetit francez; rënia e tij simbolizon shkëputjen e zymtë në rritje.

“Është si të jetosh në një gropë këtu,” thotë Mado. “Nuk është e sigurt. Njerëzit bëjnë jashtëqitjen në ashensorë dhe shkallë. Për politikanët ne jemi asgjë. Ne jemi në të vërtetë asgjë”

Një burrë, Mourad, flet me inat teksa na thotë se këtu ka minj kudo.

“Ne nuk kemi të gjithë të njëjtat të drejta. Politikanët dalin në media dhe thonë se nuk ka qytetarë të dorës së dytë, por nuk është e vërtetë në realitet”

Por pak, ndoshta, i kuptojnë më qartë ndarjet e thella në shoqërinë franceze – ose pasojat e tyre – sesa Amine.

Tani ai punon për të larguar të rinjtë nga krimi, por gjithashtu mbështet familjet e atyre që kanë paguar me jetën e tyre.

Vitin e kaluar pati 31 vrasje të lidhura me trafikun e drogës në Marsejë. Këtë vit ka pasur 23. Dy të tretat e viktimave ishin nën moshën 30 vjeç.

Autoritetet franceze e kanë pranuar problemin

Dy vjet më parë, Presidenti Emmanuel Macron premtoi të rregullonte Marsejën. Ai njoftoi një plan prej 5 miliardë eurosh për të luftuar  krimin.

Ai u kthye në qytetin port jugor pak para trazirave për të përforcuar angazhimin e tij.

Presidenti Macron ne Marseje pak para trazirave

“Gjithçka duhet të ecë më shpejt,” tha Presidenti Macron në fillim të një udhëtimi tre-ditor, në të cilin ai vizitoi vendet e projekteve të ringritjes, duke përfshirë një stacion policie, një shkollë, një burg dhe një spital.

Por Amine, i cili e ka takuar dy herë, ka humbur besimin.

“Kur vjen Macron, vjen për të bërë njoftime, jo për të na dëgjuar”

Edhe kryetari i bashkisë së Marsejës, Benoît Payan, e pranon se duhet të bashkojë qytetin e tij.

“Për një kohë të gjatë qyteti im ka qenë i ndarë midis njerëzve që janë të varfër dhe njerëzve që nuk janë. Midis atyre që konsiderohen nga autoritetet publike dhe atyre që nuk janë”

Supozohet të jetë një vlerë themelore franceze. Por këtu, barazia tani po trajtohet si një ambicie bbc.com/ Pershtati Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë