Nga Gazeta Si - Tani për tani, e vetmja gjë që Brad Pitt i ka thënë vërtet lamtumirë janë cigaret (‘Unë jam në një moshë që nuk më bëjnë mirë’), por shumë shpejt ai mund të ndalojë edhe aktrimin, sepse mendon se ka ardhur koha për ta bërë. “Mendoj se kam arritur në fazën e fundit të karrierës sime, semestrin apo tremujorin e fundit”, tregon aktori 58-vjeçar në një intervistë për revistën GQ. Ai ende nuk e di se cilën rrugë të ndjekë për t’i dhënë fund një karriere tridhjetëvjeçare, plot kënaqësi dhe çmime, por e sigurt është se e ka të menduar.
“Çfarë do të tregojë ky kapitull? Si dua ta strukturoj?”, janë pyetjet që i bën vetes dhe të cilave nuk di t’u përgjigjet ende. “Në këtë moment dhurata më e madhe e jetës është gëzimi, - pranon ai. - Më parë, gjithmonë lëvizja me rrymat. Mendoj se kam kaluar vite në depresion dhe vetëm kur arrita të pajtohem me këtë, duke u përpjekur të përqafoj të gjitha anët e vetes - të mirat dhe të këqijat - arrita t’i kap këto momente gëzimi. Tani ndihem i lumtur”.
Dhe është pikërisht në emër të kësaj lumturie të re që ai po mendon të mbyllet me Hollywood-in për t’iu përkushtuar gjërave të tjera që i pëlqejnë, si skulpturat (gjatë pandemisë ai mësoi të punonte qeramikë) dhe mobiliet (në shkollën e mesme ai ndoqi një punëtori zdrukthtarie). “Unë jam një nga ato krijesa që flas përmes artit, – rrëfen sërish aktori. Gjithçka që dua është të krijoj. Kur nuk e bëj, ndihem pak sikur po vdes”.
Megjithatë, duke gjykuar nga numri i projekteve në të cilat ai po punon dhe në të cilat ai është i përfshirë si personalisht (“Bullet Train” do të publikohet më 25 gusht dhe “Babylon” në dhjetor, si me Margot Robbie) ashtu edhe përmes kompanisë së tij të prodhimit Plan B Entertainment (këtë vit do të publikohet “Gratë që flasin”, një përshtatje e romanit të Miriam Toeës dhe “Blonde”, filmi i shumëpritur i Netflix për Marilyn Monroe), lamtumira në kinema nuk duket aq e afërt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.