Ngjarje

U rrah nga familjarët e ish-bashkëshortit, gruaja tregon mes lotësh: Më sulmuan në sy të djalit

Një 34-vjeçare është dhunuar një ditë më parë nga njerëzit e ish-bashkëshortit. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Markatomaj të Lezhës, ku Dava Ndoj është dhunuar nga familjarët e burrit me të cilin është në proces divorci. Policia e Lezhës tha se një 45-vjeçare me iniciale A.Gj., banuese në Kurbin, është arrestuar me akuzën e dhunës.

Gruaja bën me dije se është dhunuar që në janar nga familja e bashkëshortit me të cilin është në proces divorci dhe se asnjë urdhër mbrojtje nuk është marrë parasysh.

Sipas saj, avokati i bashkëshortit, është dhe dhëndri i shtëpisë ku ajo ka qenë nuse dhe bashkëshorti i i kunatës, e cila bashkë me dy fëmijët dhe prindërit dyshohet se e kanë dhunuar

“Unë në atë moment kam qenë duke ndenjur me djalin, aty ka ardhur motra e ish-burrit dhe më ka goditur. Më ka sulmuar kunata, bashkë me dy fëmijët e saj dhe dy prindërit. Plaku më ka goditur më shumë bashkë me vajzën e tij. Unë jam me urdhër-mbrojtje, por deri më tani nuk kam gjetur drejtësi, – tregon 34-vjeçarja. – Nuk është zbatuar ligji. Lufta ka nisur që me 16 janar. Avokati është dhëndri i shtëpisë dhe nusja e tij është ajo që më ka goditur bashkë me djalin e vajzën e saj. Ne jetonim në një shtëpi se kam katër fëmijë. Unë kam marrë urdhër pas urdhri, prej dy muajsh jetoj në shtëpinë time pa ujë dhe drita, se nuk kam paguar dhe ma kanë ndërprerë. Vështirësia më e madhe është se djalin e madh e kam me probleme shëndetësore se bën dhe insulinë”, – ka thënë ajo.

Prej mbrëmjes të së shtunës, kur ajo u dhunua nga kunata e saj, Dava Ndoj po merr mjekim në Spitalin Rajonal të Lezhës, ndërsa 4 fëmijët po qëndrojnë në një qendër bamirësie në Fushë-Krujë.

Edhe babai i 34-vjeçares ka bërë me dije se e bija është me urdhër mbrojtje dhe konfliktet mes tyre kane nisur që prej muajit janar.

Në një prononcim për mediat, ai është shprehur se prindërit e bashkëshortit të vajzës së tij, mendojnë se e dhunuara donte që t’u merrte shtëpinë, ndaj edhe e kishin dhunuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë