Filmi “Mësonjëtorja” do të shfaqet të premten në një event kushtuar aktores Roza Anagnosti.
Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së aktores Roza Anagnosti, “Nderi i Kombit”, Ministria e Kulturës dhe Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit do të organizojnë një event.
“Kjo ditëlindje përkon me Ditën Botërore të Trashëgimisë Audiovizive, që festohet çdo vit më 27 tetor, një datë që ka shumë arsye për të festuar dhe që do të kurorëzohet me premierën e filmit të restauruar, ‘Mësonjëtorja’ (Muharrem Fejzo, 1979)!”, thuhet nga AQSHF për filmin që do të shfaqet të premten pasdite në kinema Millennium, ku më parë do të ketë dhe një pritje dhe nderim për aktoren Roza Anagnosti.
Filmi “Mësonjëtorja” u restaurua falë punës së përbashkët mes Harabel Contemporary Art Platform, Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe donatorëve të tjerë.
“Një partneritet që do të vazhdojë të punojë së bashku për restaurimin e trashëgimisë kombëtare filmike”, thuhet nga AQSHF.
“Mësonjëtorja” është një film shqiptar i prodhuar në Shqipëri në vitin 1979 me regji nga Muharrem Fejzo, skenari Natasha Lako, muzika Limos Dizdari.
Në film, Dafina një grua e shkolluar kthehet në qytet për të hapur shkollën e parë për vajzat.
Ajo ndeshet me pengesat dhe intrigat e thurura nga kreu i Sanxhakut, i cili kërkon rrugë të ndryshme për ta nxjerrë Dafinën nga qyteti.
Për të ndaluar përpjekjet e saj për ngritjen e shkollës kleri përpiqet të helmojë dhe shkishërojë Dafinën. Shkollën e djegin. Xhaxhai i saj Stefan Bardhi luftëtari Kajo dhe çifti që e strehon Dafinën e ndihmojnë atë.
Në rolet e filmit përmendim aktorët si Roza Anagnosti në rolin e Dafinës, Guljelm Radoja - Stefan Bardhi, Robert Ndrenika-Kosta, Ardian Cerga- Kajo, Petrika Riza- Prifti, etj.
Filmi është një realizim-homazh për Rilindjen Kombëtare dhe përpjekjet e rilindësve për përhapjen e gjuhës shqipe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.