Gazeta Si – Nevojë dhe zgjedhje. Në Leçe do të jetë një Inter ndryshe të dielën. Pas ndeshjes së Championsit me Atletikon dhe me të prapambeturën ndaj Atalantës pas sfidës ndaj Leces, trajneri Inzagi duhet të bëjë disa llogari. Mungon Turam, ndërsa temperatura ka ndalur portierin Somer, që do t’ia lërë vendin Auderos.
Interi synon të ruajë distancën me Juventusin dhe Milanin, por rotacioni është i detyruar. Në seancën e fundit është provuar dyshja Arnautoviç-Sançez dhe më pas Lautaro-Sançez, me kilenin që do ta nisë nga minuta e parë, kurse partneri i sulmit do të zgjidhet mes austriakut dhe argjentinasit.

Edhe mesfusha pëson ndryshime dhe duket se Ramadani do të ketë përballë shokun e ekipit në Kombëtare, Kristja Asllanin. Çalhanoglu nuk është në 100% dhe Asllani ka shanset më të mëdha për ta nisur nga minuta e parë. Fratezi po ashtu është gati të marrë vendin e Barelës.
Një tjetër mundësi e mirë për mesfushorin kuqezi që të vërtetojë rritjen e tij. Një ndeshje si titullar peshon shumë në krahasim me minutat që Asllani merr vazhdimisht në fundin e sfidave. Janë shanse që nuk duhen humbur dhe futbollisti kuqezi e di shumë mirë këtë gjë.
Do të jetë vërtet interesant dueli mes dy kuqezinjve Ramadani dhe Asllani në ndeshjen Leçe-Inter. Të dy janë titullarë në Kombëtare, ndërsa me klubet Ramadani nuk e diskuton formacionin, kurse Asllani e nis nga stoli thuajse gjithmonë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




