Komunitet

Romët vuajnë nga skamja, jo nga diskriminimi

Ai punon me tregtinë e rrobave të përdorura. Po pret me padurim të mbledhë lekët për të bërë pasaportën e të largohet nga Shqipëria. Emiliano Balla është adoleshent dhe jeton në lagjjen 30 vjetori (ku është përqëndruar kryesisht komuniteti rom) në qytetin e Beratit.

 

 

Emilianon e takuam në Panairin e Shkollës Gjithpërfshirëse, atje ku ai ka ndjekur studimet për disa vjetë në shkollën “Shyqyri Lakra”.

 

Emiliano bën pjesë tek 60%-shi i nxënësve rom që e kanë braktisur ciklin e detyrueshëm të studimeve dhe shkolla nuk e ka patur forcën për ta kthyer.

 

“E kam lënë shkollën në klasën e shtatë. Nuk mundesha më. Ishte bërë e mërzitshme. Vija rrija. Në oborr vinin djemë që pinin hashash. Më mirë të lija shkollën dhe të punoja për të ndihmuar veten dhe familjen se sa ti hyja ndonjë rruge tjetër.”- thotë Emiliano.

 

Atij nuk i ka pëlqyer asnjëherë shkolla, por as ka patur kënd për ti ushqyer, nxitur dhe edukuar  dashurinë për shkollën.

 

Ai aktualisht punon duke shitur rroba të përdorura.

 

“Ne jemi 12 veta në familje. Vetëm një vëlla kam të martuar. Të tjerët jetomë të gjithë bashkë. Jeta është e vështirë për tu përballuar. Unë në punën që bëj paguhem 1000 lekë në ditë. Pak kohë kam që kam filluar. Ndihmoj familjen, por po mbledh lekët që të bëj pasaportën e të iki në Greqi tek daja”-thotë Emiliano.

 

Ai as nuk e mendon që ti rikthehet shkollës, kjo për shkak të nevojave ekonomike që ka familja e tij. Shpresa e vetme që ka, është largimi nga Shqipëria.

 

Nxënësit rom nuk vuajnë nga diskriminimi, por skamja.

 

“Unë jam në klasën e gjashtë të shkollës “Shyqyri Lakra”. Ne kemi 5-6 nxënës rom në klasë, por nuk i njoh. Nuk i kam parë ndonjëherë sepse nuk vijnë. Janë shumë të varfër.” –thotë Sila Hoxha.

 

 

Ajo tregon se as për të dhe as për shokët e shoqet e tjerë të saj nuk përbën problem që shkolla ku ajo studion ka shumicë të komunitetit rom dhe egjiptian. “Nuk e kemi problem. Nuk kemi shumë dallime. Vetëm ngjyra e lëkurës ndryshon dhe disa zakone që kanë. Më pëlqen gjuha e tyre kur e flasin dhe është interesante ta mësosh. Unë vetë nuk kam rastisur të kem shokë apo shoqe rome, fatkeqësisht. Por nuk do ishte keq” -tregon Sila.

 

 Anxhelika është 10 vjeç dhe studion në klasën e katërt të së njëjtës shkollë. Ajo vjen nga komuniteti rom. Për shkak të varfërisë dhe problemeve të tjera familjare, Anxhelika e braktisi shkollën për më shumë se dy javë.

 

 

“Anxhelika nuk kishte sandale të vinte në shkollë. E kam vajzën e vajzës. Kam edhe fëmijë të tjerë, por kjo është më keq nga të gjithë. Ime bijë ka tre fëmijë. Është e sëmurë me të meta mendore, nuk punon. Dhëndri herë punon, herë jo sepse edhe ai është sëmurë. Anxhelika është më e madhja nga fëmijët e vajzës dhe është shumë e zgjuar e unë nuk dua ta lë pa shkollë. Dua ti jap një zanat që ta ketë për veten e saj.

 

Unë vetë nuk kam bërë shkollë. Ne ishim gjashtë fëmijë. Babi na la të vegjël. Edhe nëna sëmurë, nuk na ngopte dot me bukë. Ja unë pa shkollë nuk futem dot në punë. Me 20 mijë lekë të vjetra në muaj çfarë do bëj më përpara? Do laj dritat, ujin, a do ha bukë?. Fëmijët e mij të gjithë kanë bërë nga 6 klasë shkollë sa për veten e tyre. Dinë të shkruajnë, të lexojnë dhe janë në punë.” Thotë gjyshja e Anxhelikës duke treguar se vetë Anxheliak ka vendosur ta përfundojë shkollën e të bëhet parukiere.

 

 

Shkolla Shyqyri Lakra ka 314 nxënës,137 prej të cilëve janë rom dhe  romë dhe egjiptian.

Shaqir Abedini, Drejtori i shkollës thotë se tek komuniteti egjyptian nuk ekziston problemi i braktisjes së shkollës. Ndër nxënësit rom braktisja e shkollës shkon në  60-70 % të nxënësve. Sipas drejtorit periudha problematike është pranvera dhe arsyeja është ekonomia.“Janë shumë të varfër. Komuniteti rom jeton në skamje. Në Berat ky komunitet arrin në 1570 persona. Ata kanë dëshirë, por nuk kanë mundësi. Pushteti vendor nuk do tia dijë fare se çfarë problemesh ka shkolla. Po të ketë dëshirë të mirë i sitemojnë. Banesat e romëve përballë shkollës janë ndërtuar që në  kur kam qenë unë nxënës këtu. Janë pribret. Duhet të hidhen në tokë e të bëhen nga e para.”- thotë drejtor Abedini. Sipas tij në lidhje me këtë komunitet ka vetëm probleme ekonomike. Kjo është sipas tij arsyeja pse ata nuk mund të integrohen. “Diskriminimi nuk ekziston. Ata bashkëjetojnë shumë mirë. Unë shtëpinë e kam tek gjashtë katëshet dhe djalin tim e kam marrë të studiojë në këtë shkollë. Ka shokë romë. Gjithë ditën me ta rri.”- tregon drejtori.

 

 

"Ndër nxënësit rom braktisja e shkollës shkon në 60-70 % të nxënësve. Sipas drejtorit periudha problematike është pranvera dhe arsyeja është ekonomia.“Janë shumë të varfër. Komuniteti rom jeton në skamje. "

 

 

Studimi

 

Sipas studimit të kryer nga Qendra Shqiptare për Zhvillime Ekonomike në katër qarqe të vendit Shkodër, Korçë, Durrës, Berat në lidhje me qëndrimet e prindërve romë për përfshirjen e fëmijë në arsimin e dëtyrueshëm rezulton se situata gjithëpërfshirëse e këtij komuniteti është jo e favorshme për tiu përkushtuar arsimimit. Referuar studimit, përfshirja e  prindërimit në moshë të re është karakteristikë e komunitetit Rom. Grup mosha 20-30 vjeç është gati 3 herë më e madhe tek prindërit Romë krahasuar me prindërit jo-Romë. Familjet Rome banojnë kryesisht në shtëpi të vjetra.Arsimimi i prindërve Romë është dukshëm më i ulët se ai i prindërve jo-Romë. Rreth 1/3 e tyre vetëm mund të lexojnë dhe shkruajnë, ndërkohë që afërsisht gjysma e prindërve jo-Romë kanë përfunduar arsimin e mesëm.

 

Shumica e prindërve Romë të intervistuar janë shtëpiak/e dhe të papunë afatgjatë. Karakteristikat e shembullit nga punësimi në momentin e intervistimit kanë ndryshime të mëdha midis prindërve Romë dhe jo-Romë. Më shumë se 1/3 e prindërve jo Romë janë të punësuar të përhershëm. Burimet e të ardhurave për familjet Rome janë shumë më të pasigurta se burimet e familjeve jo-Rome. Ato i sigurojnë të ardhurat e tyre kryesisht nga asistenca sociale dhe aktivitete informale, ndërsa familjet jo Rome kanë si burim kryesor të të ardhurave punësimin formal në sektorin privat dhe sektorin publik. Vështirësitë për të mbështetur familjen janë të pranishme tek familjet Rome dhe jo Rome, por në familjet Rome shkalla e vështirësisë është më e madhe. Prindërit Romë kanë më shumë vështirësi në përballimin e shpenzimeve për materiale shkollore dhe shpenzimet për sigurimin e veshjes.Në përgjithësi prindërit Romë dhe jo Romë e mbështesin arsimimin e fëmijëve të tyre. Shpenzimet për arsimin janë renditur të dytat pas ushqimit nga prindërit Romë dhe jo Romë. Megjithatë prindërit Romë shpenzojnë më pak se prindërit jo Romë për arsimimin e fëmijë

 

Fushata “Shkolla ime, shkolla jote” projekt i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike dhe UNICEF që ka në qendër fuqizimin e prindërit dhe mësuesit në katër rajone (Durrës, Berat, Korçë and Shkodër) që të mbështesin përfshirjen e fëmijëve Romë dhe Egjiptianë në arsimin e detyrueshëm ka arritur të kryejë më shumë se 500 vizita derë më derë në familje Rome dhe Egjiptiane. Janë identifikuar nxënësit të cilët kishin braktisur apo ishin në risk braktisjeje, 68 nxënës, 40 femra dhe 28 meshkuj të cilët kishin braktisur apo ishin në risk braktisje shkolle.

 

 

Prej këtyre, njëmbëdhjetë fëmijë janë kthyer dhe e frekuentojnë rregullisht shkollën. Specifikisht, dy në Durrës dhe një tjetër në Shkodër, të cilët e kishin braktisur dhe dy fëmijë në Berat dhe gjashtë në Korçë që ishin në risk braktisjeje.

Sabina Veizaj


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë