Media Galeri

Romain Grosjean mes flakëve, fotoja sportive më e mirë e vitit

Në Çmimin e Madh të Bahreinit në 2020-ën, Romain Grosjean rrezikoi të humbiste jetën. Fotoja e pilotit të Formula 1, teksa del nga makina mes flakëve, e shkrepur nga Andrew Hone, fotografi historik i F1, ka fituar çmimin “World Sports Photography Awards”.

Incidenti që mund t’i merrte jetën Romain Grosjean është në histori tashmë për dramacitetin e momentit dhe për fundin e lumtur. Një imazh që e ka bërë një nga fotografët zyrtarë të F1 të fitojë çmimin e fotos sportive të vitit në konkursin më të rëndësishëm për fotot me temë sportive.

Grosjean, pasi ka dalë nga makina në flakë. Gazeta Si, 4 qershor 2021

Fotoja fituese tregon Grosjean duke dalë mes flakëve para syve të koordinatorit për ndihmën mjekësore të F1, doktor Ian Roberts, dhe një komisari piste që përpiqet të shuajë flakët. Francezi ia hodhi vetëm me plagë në duar dhe në kavilje, çka e detyroi të bënte disa operacione.

Për Hone ishte një fitore e madhe të kapte momentin më dramatik të sezoneve të fundit në F1. Britaniku është fotograf zyrtar i Haas, Red Bull-it dhe AlphaTauri. “Jam i lumtuar që puna ime është vlerësuar, – ka thënë Hone për Autosport. – Sapo nisi gara, isha në kthesën e dytë për të kapur nisjen, pastaj dëgjova një përplasje të fortë dhe pashë flakët gjigante pas meje. Vrapova menjëherë për te vendi i incidentit dhe në atë moment dramatik duhej të bëja punën time. Për fat të mirë shkoi gjithçka mirë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë