Futboll

Roma në kaos total/ Fonseka lë jashtë Xhekon, Juventusi ngre “antenat”

Paulo Fonseka luan të ardhmen sot ndaj Specias. Ditët e fundit Roma është përfshirë në një kaos total, trajneri është zënë me kapitenin dhe ka dashur t’i heqë atij shiritin, ndërsa është i vendosur për të vazhduar përpara me bindjen se ka besimin e presidencës.

Përgatitjet për ndeshjen me Specian kanë qenë të tmerrshme, edhe pse klubi ka bërë një afrim të rëndësishëm, Stefan El Sharauin. Çështja më e nxehtë është ajo e Xhekos, që duket se nuk do të jetë gati shpejt për skuadrën. Fonseka nuk e ka grumbulluar sulmuesin me argumentin e një dëmtimi, por në realitet gjithçka vjen nga një raport i vështirë mes të dyve prej kohësh. Kritikat e kapitenit pas ndeshjes Roma-Sevilja në Ligën e Europës, nuk janë pranuar kurrë nga trajneri.

Fonseka dhe Xheko. Gazeta Si, 23 janar 2021

Trajneri ka pritur më shumë mbështetje dhe një lider më të fortë nga kapiteni, ndërsa Xheko ndoshta ka pritur më shumë njohuri nga Fonseka. Situata precipitoi pas humbjes me Specian në kupë, ku dy lojtarë dolën me të kuq dhe atij ndërrimi të 6-të grotesk. Pas ndeshjes tensioni shpërtheu, së pari në tunel dhe pastaj në dhomat e zhveshjes. Zënka, sipas disa lojtarëve, ishte vërtet e shëmtuar, ku Xheko i ka përmendur trajnerit ndërrimin e 6-të dhe gabimet në administrimin e ndeshjes. Fonseka e ka kërcënuar me heqjen e shiritit.

Një ditë më pas drejtuesit shkarkuan nga detyra menaxherin e skuadrës Gombar, mjaft i dashur nga të gjithë. Grupi kërkoi rikthimin e tij dy ditë më pas, ndërsa trajneri Fonseka bëri të ditur se Xheko nuk do të grumbullohej për ndeshjen e radhës. Edhe në këtë rast lojtarët mbrojtën kapitenin, sidomos Pelegrini, çka nuk i ka pëlqyer trajnerit. Por, nëse në rastin e boshnjakut drejtuesit i lanë dorë të lirë Fonsekës, me Pelegrinin nuk ndodhi e njëjta gjë.

“Kam pasur gjithmonë mbështetjen e presidentit, – ka thënë Fonseka. – Raporti me Xhekon? Ka pasur një shqetësim fizik dhe nuk është gati. Duhet të përqendrohem te lojtarët që kam. Skuadra është ende në anën time. Gaboj si të gjithë, por nuk jam tip që dorëzohem”. Në fakt, që tani kanë dalë emrat që mund të zëvendësojnë trajnerin portugez, i cili duket se i ka ditët të numëruara te Roma. I pari është Alegri, pastaj vijnë me radhë Maxarri, Montela dhe Zhardim, që pëlqehet shumë nga Tiago Pinto, kurse Sarri duket më adapt për sezonin tjetër.

Edin Xheko, kapiteni i Romës. Gazeta Si, 23 janar 2021

Në këtë situatë, te disa klube është zgjuar interesi për sulmuesin Edin Xheko. Juventusi, edhe pse ka mohuar zërat, po punon për boshnjakun, një nga lojtarët e preferuar të trajnerit Andrea Pirlo. Uest Hemi e pëlqen gjithashtu Xhekon, por vështirë të përballojë një lojtar që paguhet 7.5 milionë euro në sezon. Pastaj, për të lënë të lirë Xhekon, më parë duhet gjetur një zëvendësues dhe vështirë të gjesh profilin e duhur në këtë moment. Kaosi te Roma nuk ka përfunduar ende.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë