Nga Gazeta “SI” – Në natën hapëse të Festivalit të Filmit në Cannes, aktori legjendar amerikan Robert De Niro u ngjit në skenë për të marrë Palmën e Artë nderi, një nga vlerësimet më prestigjioze që ky festival rezervon për emrat që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kinemasë. Por në vend të një fjale ceremoniale, ai zgjodhi të japë një deklaratë të fuqishme politike.
Duke përshëndetur festivalin si një strehë për artin, demokracinë dhe gjithëpërfshirjen, De Niro theksoi se këto vlera janë sot më shumë se kurrë të kërcënuara nga autokratët dhe ekstremistët.
Pa e përmendur drejtpërdrejt në fjalën e tij fillestare, ishte e qartë se objektivi i kritikës së tij ishte ish-presidenti amerikan Donald Trump.

“Duhet të ndalojmë atë që po ndodh. Është çmenduri. Nuk mund të kemi apati dhe heshtje. Duhet të ngrihemi dhe të flasim, edhe nëse kjo na kushton,” deklaroi ai më vonë në një intervistë për gazetarët.
Edhe pse fjalimi u prit me ovacione të fuqishme nga publiku në Cannes, vetë De Niro pranoi se ishte emocionalisht i tronditur.
“Po, u bëra sentimental,” tha ai. “Si të mos bëhesha?”
Ai foli me ndjeshmëri për ndjenjën e humbjes që ndien për Amerikën që dikur ka njohur, dhe theksoi nevojën për rezistencë përballë një klime politike të rrezikshme dhe polarizuese.
“Ai është një ngacmues, dhe ngacmuesit nuk ndalen nëse nuk u dilet përballë. Nuk do të doja të shihja veten në pasqyrë nëse do të heshtja.”
Duke përmendur emra si senatori Marco Rubio, i cili, sipas De Niros, ka heshtur përballë qëndrimeve të Trumpit ndaj Ukrainës dhe presidentit Zelensky, aktori kritikoi ashpër hipokrizinë dhe servilizmin në politikën amerikane.
“Nuk do të harrohet. Historia nuk do t’i falë këto qëndrime,” paralajmëroi ai.

De Niro, tashmë 81 vjeç, ka qenë prej kohësh një nga zërat më të fuqishëm në industrinë e filmit kundër Donald Trumpit. Megjithatë, në këtë moment të karrierës dhe jetës së tij, ai duket se ka përqafuar edhe më fort rolin e ndërgjegjes publike, duke përdorur peshën e emrit të tij për të sfiduar frikën dhe konformizmin.
“Unë e kuptoj që industria është pjesë e një biznesi të madh, dhe jo të gjithë guxojnë të flasin. Por disa universitete kanë thënë ‘jo’, disa firma ligjore gjithashtu. Dhe kjo është e rëndësishme sepse frymëzon të tjerët.”
Aktori që ka mishëruar figura ikonike si Travis Bickle (Taxi Driver), Jake LaMotta (Raging Bull), apo Al Capone (The Untouchables), mbetet edhe sot një figurë e pandashme nga identiteti politik dhe kulturor amerikan.
Me më shumë se 100 filma në karrierë dhe dy herë fitues i Palmës së Artë, lidhja e tij me Cannes-in është e gjatë. Megjithatë, kur i kujtohet imazhi i tij i ri në kopertinën e programit të festivalit si Travis Bickle, ai buzëqesh me humor dhe përulësi.
“Është e çuditshme të plakësh,” thotë. “Tani e kuptoj që njerëzit më shikojnë ndryshe. Por ndihem mirë. Kam ende kontroll mbi veten. Shpresoj të zgjasë… por e di që nuk do të zgjasë përgjithmonë.”
Robert De Niro nuk kërkon lavdi për veten, as ndonjë piedestal nderi edhe pse e meriton. Në vend të kësaj, ai kërkon të lërë një mesazh, një frymë që shkon përtej kinemasë.
Në një botë ku heshtja është shpesh e rehatshme, ai zgjedh të flasë. Dhe në Cannes, zëri i tij tingëlloi më fort se kurrë.
Burimi: The Guardian /Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.