Nga Gazeta “Si” – Ajo është ndër të rrallat poete e cila ka bërë “zhurmë” me letërsi duke ndezur herë pas here debate me poezitë e saj. Botuese por dhe autore tekstesh shkollore, thotë se ëndrrat e saj ka mundur t’i bëjë realitet falë këmbënguljes por dhe shpirtit luftarak. Mbi të gjitha, ajo ka ditur të jetojë bukur.
Kjo falë edhe njerëzve me të cilët ndau një pjesë të jetës saj siç ishte Latifi, ish partneri i saj i cili e bëri të “thyente” kufinjtë për hir të dashurisë.
Edhe pse e bekuar nga dy dashuri të mëdha në jetën e saj, ajo shprehet se është e hapur për surprizat që sjell jeta, sepse tek ajo, mosha është vërtetë një numër.
E drejtpërdrejtë dhe hera-herës stoike, statura dhe portreti i saj i qeshur fshehin pas edhe sakrifica, brenga dhe humbje.
Në intervistën dhënë për podcastin “T’Pa thana” në Gazetasi.al Petro thotë se fragmenti nga romani “Lindur së Prapthi” ku një poete e re ngacmohet nga një shkrimtar, është real dhe i ka ndodhur asaj.
“Pjesa e romanit ku shkruaj për ngacmimin e shkrimtarit ndaj meje është reale. Kjo gjë ka ndodhur sepse zyra u jepte pushtet dhe në komunizëm ka pasur raste kur poetete e reja janë ngacmuar. Kjo gjë më ka ndodhur edhe kur fillova punë për herë të parë mirëpo asnjëra nga këto situata nuk ka lënë gjurmë tek unë sepse si personazhi im, si unë i kam kaluar duke i thënë vetes, kapërceji dhe mos e quaj veten viktimë.”
Ajo shton se romani nxjerr në pah edhe bullizimin i cili shpesh niste nga familja.
“Titulli i romanit “Lindur së prapthi” lindi nga bullizimi që nis brenda familjes. Për çdo prapësi ose një veprim paksa aventuresk, përshembull të dilje shëtitje në shi, ata të etiketonin si të prapë. Nga njëra anë, gjyshja ime që ishte nga jugu më thoshte ‘anapulla’ dhe nga ana tjetër prindërit që më thonin ‘ke lindur së prapthi’”.
Mes poezisë dhe profesionit Rita zgjedh të dytën edhe pse pranon se spontaniteti ka qënë çelesi i suksesit të saj në poezi.
“Kur më pyesin, poezia apo profesioni unë gjithmonë zgjedh profesionin. Të merrersha me tekstet shkollore dhe anën didaktike ka qënë pasioni i madh i jetës. Spontaniteti në jetë më ka bërë të jem e tillë dhe në poezi. Dhe si rrjedhojë edhe poezia ime është spontane, duke qenë ndryshe nga poezia e brezit tim”
Në fund, ajo thekson se libri i saj me poezi “Vrima” ishte një himn për gruan edhe pse shpesh u keqkuptua dhe u nxorr nga konteksti.
“Vrima përtej të gjitha konteksteve, i dedikohej dhe organit femëroe sepse vetëm ne femrat kemi privilegjin e jashtëzakonshëm të krijojmë dhe të rrisim brenda vetes një krijesë. Une kam dashur t’i thurr një himn fizikut të gruas. Ka pasur kritika se në poemë s’ka pasur as lirizëm dhe as poezi. Në këtë rrëfim unë kam dashur të tregoj rrugën e një dashurie ekstreme” përfundon Petro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.