Nga Gazeta Si – Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora është në Tiranë! Të martën, në Javën e Kulturës Britanike, ajo do të performojë në sheshin Skënderbej, në një koncert falas për të gjithë qytetarët, por takimin e parë në Tiranë e ka rezervuar për studentët e Liceut Artistik. E shoqëruar edhe nga nëna e saj, Vera Ora, dhe kryebashkiaku Erion Veliaj, Rita Ora ndau me të rinjtë detaje për koncertin e madh të 6 shtatorit.
“Kur ju rriteni do të takoni njerëz që do t’ju frymëzojnë të bëni diçka, të tjerë do t’ju thonë se nuk do t’ia dilni dot dhe kjo mund t’ju bëjë të humbni besimin. Por, duhet të fokusoheni te vetja juaj dhe të mos i dëgjoni çfarë thonë të tjerët. Duhet t’i provoni atyre se janë ata që e kanë gabim. Kjo më ka bërë mua të eci përpara”, tha ajo.
Rita Ora nesër në mbrëmje do të mbajë koncertin në sheshin “Skënderbej”, ku para disa ditësh nisi dhe puna për ngritjen e skenës. Koncerti do të jetë falas për të gjithë ata qytetarë, që duan të shohin nga afër këngëtaren teksa performon. Koncerti pritet që të startojë në orën 20:00 dhe krah Rita Orës do të performojnë edhe këngëtarë të tjerë shqiptarë si Ronela Hajati dhe Kida.
Rita Sahatçiu Ora është një këngëtare me prejardhje shqiptare. Suksesi i saj u rrit në shkurt të vitit 2012, kur ajo u paraqit me “Hot Right Now”, bashkëpunim me DJ Fresh-in, e cila arriti numrin një në Mbretërinë e Bashkuar. Albumi i parë i saj “Ora” që doli në shitje në gusht të vitit 2012, arriti numrin një në Mbretërinë e Bashkuar. Në janar 2014, Adidas njoftoi një bashkëpunim projektues me Ritën për markën e tyre, “Adidas Originals”. Gjithashtu në vitin 2014, kënga “I Will Never Let You Doën” u rendit e katërta në Mbretërinë e Bashkuar. Në vitin 2015, Rita Ora u bë trajnere në serinë e katërt të “The Voice UK” dhe më vonë atë vit, një gjyqtare në serinë e dymbëdhjetë të “The X Factor”. Albumi i dytë i saj në studio “Phoenix” doli në shitje në nëntor të vitit 2018.
Më 1 shtator, Java britanike hapi siparin e Javëve Kulturore Ndërkombëtare ku nuk do të ketë një sërë aktivitetesh që kremtojnë kulturën, artin, muzikën dhe sportin britanik, por do të kulmojnë me koncertin e Rita Orës në datën 6 shtator.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



