Arben Ristani ka vijuar edhe sot linjën e tij kundër Lulzim Bashës. Në një shkrim të publikuar në rrjetet sociale, ish-sekretari i Përgjithshëm i PD, thotë se Opozita duhet të ndryshojë kurs dhe të fillojë tashmë që të mendojë për rrugën e daljes nga kriza. Sipas tij, duhet tejkaluar faza e denoncimeve të qeverisë Rama.
“Duhet të përqendrohemi të gjithë te gjetja e zgjidhjes për krizën e rëndë që po kalojmë. Rama bën çdo ditë veprime kundër interesit publik, çdo ditë vjedh dhe zhvat pasuritë e shqiptarëve, çdo ditë tallet me varfërinë e tyre, por këtë tashme, s’ka shqiptar që nuk e di. Le te themi se faza e denoncimit dhe beteja që shqiptarët dhe ndërkombëtarët ta njohin se kush është dhe çfarë bën, e realizoi qëllimin”.
Aksionin e deritanishëm me denoncimin e politikave të gabuara të Ramës, Ristani e konsideron si një energji të humbur kot nga PD.
“Çdo energji e tepërt e harxhuar për ta denoncuar të keqen publikisht, është energji e çuar dëm. Duhen përqendruar forcat dhe mendja, te gjetja e rrugës që na çon te zgjidhja, dakordsimi gjithëpërfshirës për rrugën e gjetur, qartësi për etapat dhe rolet, përqendrim dhe besim.”
Në fund Ristani bën edhe ndarjen e fortë me lidershipin e Bashës, duke theksuar se rruga e bojkotit është e gabuar dhe duhet përjashtuar. “Sidoqoftë, rruga e bojkotit dhe ikja nga përballja institucionale, brenda sistemit, me kundërshtarin, tashmë është e përjashtuar si zgjidhje.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




