Menaxhim

Tregu imobiliar me rreziqe, bankat në Shqipëri do të ‘shtrëngojnë dorën’ me kreditë në 2024-ën

Nga Gazeta ‘SI’ - Bankat tregtare në Shqipëri do të jenë më të kujdesshme në kreditë për blerje banesash gjatë 2024-s. Sipas anketës që kryhet nga Banka e Shqipërisë, të gjitha bankat tregtare parashikojnë të shtrëngojnë standardet kredituese për këtë lloj huaje dhe rrjedhimisht të miratojnë më pak të tilla.

Sipas grafikut të BSH, standardet e kredimarrjes për banesa do të kalojnë në kahun negativ nga ai pozitiv që janë tani.

Arsye për këtë është fakti se zhvillimet e pritshme në tregun imobiliar perceptohen si rrezik nga vetë bankat.  

Kjo nuk është e vetmja mburojë që bankat po ngrenë ndaj tregut të pasurive të paluajtshme, i cili mbetet mjaft i ekspozuar kundrejt parasë informale. Në fund të 2023-shit, BSH miratoir rregulloren për monitorimin e kredive hipotekore.

Në dokument, BSH ka të drejtë të vendosë kufi në vlerë dhe në masë të kredive që jepen në këtë drejtim sipas të dhënave që mbledhin bankat tregtare dhe të ndalojë kredidhënien nëse ka shenja të riskut.

BSH ka të drejtë të përcaktojë nivele kufi në vlerat sasiore të treguesve dhe kërkesa të tjera cilësore, me qëllim shmangien e dobësive. Për një kredi, BSH mund të vendosë më shumë se një kufizim. Kufizimet do të jenë edhe për klientët edhe për bankat.

Në rregulloren e re përcaktohen dhe të gjitha situatat kur kredimarrja cilësohet me rrezik, ku vlerësohet si e tillë kredia e pambrojtur (klienti ka të ardhurat në lekë dhe kredinë e merr në valutë), kur kolaterali që është pronë ndodhet në juridiksion të huaj. Kur kredimarrësi kërkon një periudhë të pazakontë amortizimi etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë