Ngjarje

Rishfaqet Moisi Habilaj, si u miqësua me djalin e bosit të “Cosa Nostra”-s për trafikun e drogës

Edhe pse është në arrati prej disa muajsh (duke shkelur masën e arrestit shtëpiak në Itali), emri i Moisi Habilajt është kthyer sërish në qendër të vëmendjes.

Një nga trafikantët më “të famshëm” të drogës, dyshohet se ka vijuar aktivitetin e tij të paligjshëm edhe kur ka qenë i burgosur në Katania.

Mediat italiane, të mërkurën kanë publikuar një përgjim të regjistruar nga policia italiane brenda një makine BMW X3 në 9 prill të 2019.

"Meridionews " shkruan se brenda mjetit ndodheshin tre persona, mes të cilëve dy trafikantë shqiptarë, Julian Hoxhaj e Indrit Karafili (të dy të arrestuar në operacionin anti-drogë të para pak ditëve në Itali, “Cocorito”) dhe një i ri 26-vjeçar nga Katania.

Ata diskutojnë për biznesin, furnizimet e drogës dhe çmimet, por gjithashtu për një farë “Mose” (Moisi Habilaj) dhe një miqësi të veçantë të lindur në korridoret e burgut të Bicocca.

Habilaj, i dënuar në shkallë të dytë me 15 vjet burg, është protagonist i një “spy story” ndërkombëtar për marrëdhëniet e dyshuara me ish-ministrin e Brendshëm  Saimir Tahiri.

Të ndaluarit, nxjerrin në pah miqësinë e veçantë që ka nisur Moisi Habilaj me Natalino Nizza-n (djali i një bosi droge) në korridoret e burgut në Katania.

“Ata e braktisën atje, pa para dhe rroba. Natalino i dha para, rroba dhe kur mori paratë, Moisiu i bleu një kostum të Juventusit”, - është një pjesë e bisedës mes shqiptarëve dhe italianit në makinë. Sipas hetimeve, miqësia mes Habilajt dhe Nizza-s i hapi rrugën biznesit të drogës së Hoxhajt dhe Karafilit në Katania.

“Përgjimet ambientale, shkruajnë hetuesit, - zbulojnë se Natalino Nizza ishte i interesuar të kishte një marrëdhënie të qëndrueshme me shqiptarët për blerjen e marijuanës, fillimisht me 30 ose 40 kilogramë”.

Në dokumentet e hetimit, zbulohen edhe mosmarrëveshjet për pagesat. “Unë e kam mbaruar punën time, tani dua paratë e mia”, i tha Karafili një burri shqiptar gjatë një prej shumë udhëtimeve të tij në Katania.

Mosmarrëveshja, sipas medias italiane, ishte për një borxh prej rreth 80 mijë eurosh për një furnizim.

Mes të tjerash, në përgjimet e publikuara nga mediat italiane, një nga bisedat më interesante të kapura mes njërit prej pjesëtarëve shqiptarë të grupit kriminal, si edhe bashkëpunëtorit të tij kolumbian, rinxjerr në skenë zhvillimet e trafikut të drogës në periudhën 2016-2019 në Shqipëri.

“Trafikimi i marijuanës në Shqipëri është i paligjshëm prej tre vitesh, që kur erdhi ai copë muti... deri para tre vitesh ishte kështu... 10% i merrte shteti”, - shpjegoi Karafili në një dialog që daton në vitin 2019.

Megjithatë, sipas medias lokale kataneze, nuk është e qartë se kujt i referohet Indrit Karafili në përgjimet e publikuara në bisedën e fundit.

Pak ditë më parë Gjykata Speciale Kundër Krimit dhe Korrupsionit, ka dhënë dënimet me burg për grupin e "Habilajve", mes të cilëve edhe Moisi Habilaj, të cilin e ka dënuar me 10 vite burg për veprat penale, trafik droge dhe grupi i strukturuar kriminal, nga 15 vite që kishte kërkuar SPAK.

Moisi Habilaj u dënua në Shqipëri për ngjarjen në Babicë të Vlorës, ku u kap një sasi prej 4 tonë kanabis e fshehur në një vilë dykatëshe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë