Gazeta Si- Ish-presidenti sirian, Bashar al Assad ka rrëfyer këtë të hënë orët e tij të fundit në Siri në një deklaratë të gjatë të lëshuar nga Moska, duke thënë se "në asnjë moment" gjatë avancimit të militantëve islamikë në Damask "nuk e kam marrë në konsideratë idenë e dorëheqjes apo kërkimit të strehimit" dhe se ishte qëllimi i tij të "vazhdonte të luftonte kundër sulmit terrorist".
“Largimi im nga Siria nuk ishte planifikuar dhe nuk ndodhi gjatë orëve të fundit të betejave, siç pretendojnë disa. Përkundrazi, qëndrova në Damask, duke kryer detyrat e mia, deri në orët e para të së dielës, 8 dhjetor 2024, - thuhet në deklaratë. - Ndërsa forcat terroriste hynë në Damask, u zhvendosa në Latakia në koordinim me aleatët tanë rusë për të mbikëqyrur operacionet luftarake. Me të mbërritur në bazën ajrore Hmeimim atë mëngjes, u bë e qartë se forcat tona ishin tërhequr plotësisht nga të gjitha linjat e betejës dhe se pozicionet e fundit të ushtrisë kishin rënë. Ndërsa situata në terren vazhdoi të përkeqësohej, vetë baza ushtarake ruse u vu nën sulm intensiv me dron”.
Asad theksoi se “pa asnjë mjet praktik për t'u larguar nga baza, Moska i kërkoi komandës së bazës të organizonte një evakuim të menjëhershëm drejt Rusisë mbrëmjen e së dielës 8 dhjetor”.
Sipas ish-presidentit sirian, të cilit Rusia i ka ofruar azil, “kjo ndodhi një ditë pas rënies së Damaskut, pas rënies së pozicioneve të fundit ushtarake dhe si pasojë paralizimit të të gjitha institucioneve shtetërore të mbetura, - specifikohet në shënim. - Në asnjë moment gjatë këtyre ngjarjeve nuk e kam marrë në konsideratë idenë e dorëheqjes ose për të kërkuar strehim, as nuk është bërë ndonjë propozim i tillë nga ndonjë individ apo palë. E vetmja mënyrë veprimi ishte vazhdimi i luftës kundër sulmit terrorist”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.