Gazeta Si – Rinumërimi i 437 kutive të votimit në Tiranë ka treguar se dy partitë e mëdha janë favorizuar nga numëruesit e tyre në 11 maj.
Prej ditësh, kutitë e qarkut të Tiranës po numërohen për herë të dytë pas kërkesës së dy anëtarëve të KAS-it.
Por çka po tregon ky proces, nuk është ajo që prisnin demokratët. Deri tani rezulton se Partisë Demokratike i janë shtuar padrejtësisht 219 vota, ndërsa PS-së 193 vota.
Në një masë më të vogël në numërimin e parë kanë përfituar edhe Lëvizja Bashkë, e cila ka marrë 10 vota më tepër, koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet 26 vota, PSD 23 vota dhe Partia Mundësia 8 vota.
Ndërkohë nga numëruesit janë penalizuar Partia e Lulzim Bashës që i mungojnë 13 vota, Koalicioni Djathtas për Zhvillim i Dashamir Shehit që i mungojnë 7 vota.
Në listën e Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, pretendonte se shumë vota të tij kishin kaluar te kandidatët e tjerë.
Por ajo që doli nga 437 kutitë e para ishte fakti që Alimehmeti në procesverbal rezulton të ketë 61 vota më shumë se çfarë kishte realisht në kuti.
Në radhët e demokratëve, kandidatët me më shumë vota në procesverbal se në kuti janë Petrit Gjorgji me 43 vota, Myslym Murrizi me 31 vota, Edit Harxhi me 21 vota dhe Ilir Metaj me 28 vota.
Ndërkohë që rivalja e Alimehmetit për të hyrë në listën fituese, Jorida Tabaku ka 22 vota më shumë në procesverbal, sesa në kuti.
Kandidatët demokratë më të “persekutuar” në numërimin e parë kanë qenë Asllan Dogjani me -10 vota, Salvador Kaçaj me -17 vota dhe Ilda Zhulali me -5 vota.
Sa i përket Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia ka 125 vota më shumë, ministri Ervin Hoxha 193 vota më shumë, kandidatja për deputete Kejsi Elezi rezulton me 89 vota më shumë në procesverbalë se sa kishte në kutinë e votimit, ndërsa Fatmir Xhafaj ka 82 vota më shumë, dhe Erion Braçe me 28 vota plus.
Në listën e hapur të PS-së, në garë deri në fund ishin Blerina Gjylameti dhe Olta Xhaçka. Por rinumërimi deri tani, duket se nuk e ndryshon faktin që Xhaçka vijon të mbajë mandatin e deputetes. Gjylametit i kanë hequr -3 vota, ndërsa Xhaçkës i janë shtuar 34.
Kandidatët e PS-së më të “persekutuar” nga numëruesit deri tani rezulton Mimi Kodheli -33.
Procesi i rinumërimit në pallatin e sportit “Fahrije Hoti” do të rinisë sërish ditën e hënë, ndërsa pritet të zgjasë 10 ditë. Pas Tiranë, qarku i Fierit dhe qarku i Durrësit do të jenë të radhës ku do të nisë procesi i rinumërimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.