Politike

Rinumërimi i votave në Tiranë, i shtohen Tabakut dhe Alimehmetit. Fatmir Xhafajt i ikin

Nga Gazeta ‘SI’ – Procesi i rinumërimit të votave për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, vijon edhe sot në Tiranë, me vëmendje të lartë sidomos nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj, që shpresojnë në ndryshime në rezultatet përfundimtare.

Me qëllim përshpejtimin e procesit, rinumërimi për Tiranën do të kryhet me dy turne.

Deri më tani janë rinumëruar 109 qendra votimi për qarkun Tiranë. Ka ndryshime të vogla për heqje ose shtim votash të subjekteve politike, përkatësisht si më poshtë:

PD, 40 vota minus

PS, 43 vota minus

Partia Mundësia, dy vota plus

Rinumërimi ka sjellë lëvizje edhe në listat e hapura të kandidatëve për deputetë. Te demokratët, ku gara është mes Ilir Alimehmetit dhe Jorida Tabakut për një mandat, të dy kanë përfituar më shumë vota. Alimehmeti ka fituar 4 vota më shumë, ndërsa Tabaku 11 vota shtesë.

Ndërkohë, në kampin socialist gara më e ngushtë është mes Blerina Gjylametit dhe Olta Xhaçkës, të ndara nga vetëm 128 vota. Pas rinumërimit, Gjylametit i janë shtuar 2 vota, ndërsa Xhaçkës i është zbritur 1.

Rast interesant është ai i Fatmir Xhafajt, të cilit rezulton t’i jenë numëruar më parë 32 vota më shumë nga sa kishte realisht.

Procesi pritet të vijojë për më shumë se një javë, me fokusin veçanërisht te Tirana, ku çdo votë mund të ndikojë në ndarjen përfundimtare të mandateve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë