Nga Gazeta ‘Si’- Procesi i rinumërimit të votave për qarkun Tiranë dhe Fier pritet të nisë javën e ardhshme.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, në një konferencë për mediat, u shpreh se do të rishqyrtohen 610 301 vota të të dyja qarqeve, dhe procesi i rinumërimit pritet që të zgjasë deri në 20 ditë.
Procesi do të zhvillohet në ambientet e Pallatit të Sportit “Farie Hoti” dhe se do të realizohet nga stafi i KQZ, dhe jo nga subjektet politike.
“Partitë politike s’kanë asnjë angazhim në këtë proces. Sikurse mundet ta keni konstatuar, KAS ka ardhur në këtë vendimmarrje me kërkesë të dy anëtarëve të këtij organi, pasi janë vlerësuar pretendimet e subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve për deputetë, bazuar në dokumentacionin që iu është dhënë nga KQZ dhe pamjeve filmike.
E them këtë për të evidentuar faktin që sistemi i administrimit, i mbikëqyrjes së procesit të numërimit dhe tabelimit të rezultatit ka funksionuar siç duhet sepse bazuar në ato të dhëna iu është krijuar mundësia kandidatëve për pretendimet, ngelet për t’u parë sesa qëndrojnë këto pretendime.
KAS do të vendosë dhe disponojë mbi çdo element të këtij procesi të rinumërimit. Parashikojmë që të fillojë të hënën ose të martën e javës që vjen”, tha Celibashi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.