Pas pushimeve të verës, “makineria” e vettingut është rikthyer në punë dhe në shënjestër të saj këtë vjeshtë, veç kandidatëve për institucionet e reja që do të ngrihen në kuadër të reformës në drejtësi, janë edhe drejtuesit e prokurorive dhe gjykatave nëpër rrethe, si dhe disa emra të njohur nga Gjykatat dhe Prokuroritë Apelit.
I pari që do të dalë në seancë dëgjimore do të jetë Bujar Hoti, prokuror në Prokurorinë e Apelit në Durrës, por Lista shumëemërore tejkalon numrin 100 të anëtarëve të sistemit aktual të drejtësisë, që do t’i nënshtrohen verifikimit të vettingut në tre fusha, atë të pasurisë, integritetit dhe aftësisë profesionale.
Në total janë 28 emra gjyqtarësh dhe prokurorësh të Apelit brenda kësaj liste, që janë vënë në radhë për t’u rivlerësuar në këtë fazë të dytë të procesit. Mes tyre është Enton Dhimitri, nga Apeli i Gjirokastrës, Fatos Qato, nga Apeli i Tiranës dhe Sotiraq Lubonja, nga Apeli i Korçës. E përbashkëta e këtyre tre emrave është se ata janë kandidatë për anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Nuk mungojnë gjyqtarët nga Apeli i Gjykatave Administrative dhe ajo që e bën më interesante këtë fazë është një deklaratë e hershme e bërë nga kreu i Inspektoriatit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive, Shkëlim Ganaj.
Gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve në muajin korrik, kur kosa e vettingut po korrte në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, Ganaj tha se pak më shumë se gjysma e gjyqtarëve rezultuan me probleme sa i takon pasurisë në deklaratat e shqyrtuara vetëm për 2017.
“Rezulton që 50% e tyre të kenë probleme, qoftë për fshehje të pasurive, qoftë për deklarime të rreme, qoftë për raste të konfliktit të interesit. Është një numër shqetësues, jashtëzakonisht i lartë. Vetëm për pjesën e pasurisë, aq sa ne jemi të lejuar të bëjmë, shifra është arritur te 50.1%”, deklaroi ai.
Praktika e ndjekur deri më tani ka provuar që organet e vettingut ushtrojnë një kontroll më të imtësishëm dhe nuk i marrin të mirëqëna dosjet e dorëzuara nga ILDKPI, por i verifikojnë ato. Kjo mund të çojë në një rritje të numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve me probleme vetëm sa i takon pasurisë. Situata mund të bëhet edhe më alarmante, pasi Ganaj paralajmëroi se sektori më problematik sa i takon kësaj pjese janë pikërisht gjykatat e apelit.
Kjo shifër mund të jetë edhe më lartë nga kontrollet shtesë që ushtrojnë organet e vettingut, pohoi më tej kryeinspektori. Bazuar mbi të dhënat që disponon, Shkëlqim Ganaj tregoi se vitin e ardhshëm, sistemi i drejtësisë rrezikon një ngërç edhe më të madh.
“Pjesa e gjyqtareve të Apelit është pjesa me përqindjen më të lartë të problematikës. Duke parë që Gjykata Kushtetuese është jashtë funksioni, Gjykata e Lartë është me mangësi të mëdha, unë mendoj që vitin tjetër ne do të jemi edhe pa Gjykatë Apeli me këtë trend, që të paktën duket nga të dhënat e para”, deklaroi ai.
Kjo deklaratë e Ganajt mbetet ende një “profeci”, që javët dhe muajt në vazhdim do ta provojnë, ose do ta rrëzojnë.
Bilanci i vettingut; miliardat që shkarkuan 21 gjyqtarë e prokurorë
Deri më tani janë 27 gjyqtarë e prokurorë të konfirmuar, ndërsa 21 të shkarkuar iu bashkuan listës me 13 emra që u dorëhoqën para nisjes së këtij procesi. Çështja e parë që mori në shqyrtim Komisioni i Pavarur i Kualifkimit në kuadër të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ishte ajo ndaj ish-gjyqtarit, Besnik Imeraj, i dorëhequr nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas ligjit të vettingut, të dorëhequrit nga sistemi përjashtoheshin nga procesi i rivlerësimit dhe hetimit të thelluar të pasurive të tyre. KPK shqyrtoi rastin e Imerajt për të provuar nëse dorëheqja e tij ishte bërë sipas parashikimeve ligjore dhe në fund vendosi ndërprerjen e vettingut për të.
Më pas, ishte rasti i Adriatik Llallës. Edhe ish-kryeprokurori u dorëhoq para se të niste vettingut dhe KPK vendosi pushimin e procesit ndaj tij, vendim që u apelua nga Komisioneri Publik, por që u konfirmua edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit më vonë. Këto ishin dy vendimet e vetme të dhëna nga KPK në muajin shkurt.
Muaji mars ishte më i ngjeshur. Mes ndihmësve ligjorë të Gjykatës së Lartë e deri tek ish-anëtarja Mirela Fana e kësaj trupe, KPK shqyrtoi 9 dosje. Prioritet u vendos shqyrtimi i integritetit, pasurisë dhe profesionalizmit të kandidatëve për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Mes dosjeve të shqyrtuara në muajin mars ishte edhe ajo e Fatos Lulos, anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Pikërisht Lulo ishte emri i parë i shkarkuar nga vettingut në Gjykatën Kushtetuese dhe arsyeja e dhënë ishte mosjustifikimi i pasurive.
Procesi vijoi me konfirmimin në detyrë të Vitore Tushës në Kushtetuese dhe më pas me dy shkarkimet e para të bujshme, atë të gjyqtarit të Apelit në Durrës, Besim Trezhnjeva dhe të Prokurores në Gjykatën e Apelit në Shkodër, Besa Nikëhasani, që të dy për mosjustifikim të pasurive.
Maji do të vendoste fatin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Pas Fatos Lulos, kësaj trupe vettingu i largoi edhe Altina Xhoxhajn dhe Fatmir Hoxhajn dhe që të dy me të njëjtin argument, atë të mosjustifikimit të pasurive. Në sitë do të kalonin më pas edhe Bashkim Dedja dhe Gani Dizdari. Dizdari u shkarkua nga KPK, ndërsa Bashkim Dedja u konfirmua, por për dosjen e tij vëzhguesit ndërkombëtarë të reformës në drejtësi kërkuan rishqyrtim.
Qershori dhe korriku ishin muajt ku makineria e vettingut ndryshoi marsh. U kaluan në sitë të gjithë anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe emrat e tjerë nga gjykatat dhe prokuroritë e Tiranës dhe të rretheve, që ishin kandidatë për KLGj e KLP.
Mes atyre që kaluan ishte edhe Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku. Deri në këtë moment, opozita ishte shprehur skeptike për mënyrën se si po zhvillohej vettingu, por pas konfirmimit të Markut akuzoi se procesi po ndiqte dy standarde. Akuzat u përforcuan më shumë me kalimin e Ardian Dvoranit nga Gjykata e Lartë dhe të Ilir Toskës nga Gjykata e Apelit.
Duke lënë menjanë akuzat e politikës, procesi i vettingut deri më tani ka një emërues të përbashkët përsa u takon prokurorëve dhe gjyqtarëve të shkarkuar dhe ai emërues quhet “mosjustifikim i pasurisë”.

6 gushti ishte dita e fundit e vettingut, para se anëtarët e KPK, KPA dhe Komisionerët Publikë të largoheshin me pushime.

Pra në total janë 21 gjyqtarë e prokurorë që janë shkarkuar nga procesi i vettingut dhe në të gjitha rastet, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka gjetur probleme me pasurinë. E mbledhur në total, pasuria e gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë shkarkuar kap shifrën e 674.3 milionë lekëve të reja, ose 6 miliardë e 743 mln lekë të vjetra.
Shuma është goxha e lartë në krahasim me të ardhurat dhe pasuritë e pjesës dërrmuese të shqiptarëve. Në vitin 2016, Credit Sëiss, në raportin vjetor për pasurinë globale thotë se shqiptarët në moshë madhore kanë afërsisht 10 deri në 11 milionë lekë të vjetra.
Ndërkohë, nëse shuma prej 6 miliardë e 743 milionë lekësh (të vjetra) pjestohet me 21, aq sa është edhe numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve që kontribuojnë në këtë shifër, mesatarja del rreth 320 milionë lekë të vjetra për secilin, pra një shifër rreth 30 herë më e lartë se mesatarja e qytetarëve shqiptarë.
Veç të shkarkuarve dhe të konfirmuarve ka edhe një listë të tretë me emra gjyqtarësh e prokurorësh. Bëhet fjalë për listën ‘e mëdyshjeve’, ku bëjnë pjesë emra si kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, anëtarja e kësaj trupe, Altina Xhoxhaj, kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, apo anëtari i kësaj gjykate, Edmond Islamaj.
Shifra e të shkarkuarve mund të ndryshojë në varësi të vendimit që do të japë Kolegji i Posaçëm i Apelimit për çështjet që janë ankimuar në të, por e sigurtë është që me ardhjen e shtatorit dhe rinisjen e vettingut, të tjerë emra do t’u bashkohen që të dyja listave dhe trendi në rritje i “milionave” që djegin gjyqtarë e prokurorë do të vazhdojë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.