Trashëgimi

Rindërtimi i shkollës së mesme ‘Gjergj Kastrioti’ në Durrës nxjerr në dritë një mozaik të rrallë

Një zbulim i rrallë ka dalë në dritë në Durrës.

Gjatë rindërtimit të shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti”, janë zbuluar gjetje arkeologjike tepër të rëndësishme si për nga tipologjia, ashtu edhe me vetë historinë e zhvillimit të qytetit antik.

“Bëhet fjalë për një bazament kolone, fragmente muresh, fragmente potenciale të pikturës murale e fragmente mermeri, që nga vlerësimi paraprak përkojnë me elemente tipike të strukturës së një vile romake”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.

Gjetja kryesore është një mozaik floreal, që nëntoka e ka ruajtur në një gjendje mjaft të mirë, i periudhës së hershme perandorake romake, që në fazën aktuale, mendohet të mbulojë një sipërfaqe prej afro 30 m2.

“Zbulimi që sapo kemi konstatuar në kuadër të rindërtimit të shkollës ‘Gjergj Kastrioti’, është një nga zbulimet më të rëndësishme që kanë ndodhur në vendin tonë këto vitet e fundit. ky mozaik përfaqëson teknikën më të lartë të punimit të këtyre strukturave, dhe ambienteve të punuara me mozaik”, shprehet arkeologu Maringlen Meshini, pjesë e grupit të punës.

Hulumtimi i mëtejshëm pritet të zbulojë edhe elemente të tjerë të rëndësishëm të sitit arkeologjik.

“Pas këtij zbulimi do të realizohet gërmimi arkeologjik i hapur me qëllim evidentimin e plotë të këtij siti, në vijim të së cilit do të vlerësohet ecuria e mëtejshme e projektit dhe destinacionin final të materialeve arkeologjike”, vijon më tej njoftimi i ministrisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë