Nga Gazeta Si – Më 1 korrik të vitit 2022, violinistja Abigeila Voshtina mori drejtimin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Emri i Voshtinës nuk ishte i panjohur për publikun shqiptar, sepse më herët ajo mbante pozicionin e drejtores artistike të TKOB.
Që prej kohës që Voshtina është në krye të institucionit, duket sikur TKOB është kthyer në një institucion lider në krahasim me institucionet e tjera të kulturës.
Drejtoresha Abigeila Voshtina thotë për Gazetasi.al se gjatë kësaj periudhe fokusi ka kaluar në disa pika që bënin pjesë në platformën e saj ideore.
“Ka qenë një periudhë e ngarkuar që nga ndërtimi i drejtorisë së produksionit, krijimi i bordit të ri të teatrit me figura që janë ambasadorët tanë të diplomacisë kulturore, krijimi i një kalendari 1-vjeçar, ngritja e cilësisë artistike, repertor i përshtatshëm për çdo ‘target group’, network në rajon dhe Europë”, thotë për Gazetasi.al, drejtoresha e TKOB, Abigeila Voshtina.
Ajo mendon se fakti i rritjes së cilësisë artistike rrjedh nga njohja e mirë e potencialit të artistëve tanë.
“Ne shqiptarët jemi udhëheqës në shumë orkestra jo vetëm për talentin dhe shkollën, por edhe për karakterin tonë, pse mos e bëjmë TOB-in pasqyrën tonë më të mirë!”, shprehet Voshtina.
Gjatë këtij viti, në Teatrin e Operës u rikthyen edhe vepra shqiptare, krijime të lëna në harresë. Një ndër ta ishte opereta “Karnavalet”, e cila u rikthye pas 45 vitesh në teatër nën regjinë e Inva Mulës.
“Zgjodha ‘Karnavalet’ sepse është një operetë e cila brezi im e ka harruar, ashtu si shumë vepra të tjera. Nga diçka duhet të fillojmë. Fatkeqësisht fonoteka, partiturat, digjitalizimi, njohja e këtij repertori me botën, është një nga mungesat më të mëdha të investimit kulturor, që është bërë në këto 30 vite. Sot, përveç faktit që shumë pak kompozojnë, kemi edhe detyrimin që të heqim pluhurin e shumë artistëve që kjo gjeneratë nuk i njeh fare, nuk e dinin që kanë ekzistuar”, shprehet Voshtina për Gazetasi.al.
Gjatë vitit 2023 në skenën e TKOB janë vënë shfaqje të tjera të mëdha, duke nisur nga muzikali “Callas dhe Onasis”, opera “Attila” e Verdit, dhe së fundmi opera “Carmen” nga Bizet.
Ndonëse për të janë të gjitha të suksesshme dhe kanë tërhequr publikun, ajo veçon më së shumti operën “Attila”.
“Për forcën e regjisë kontemporane të një gruaje të re, skenografinë dhe kostumet të bëra totalisht brenda teatrit tonë”, vijon më tej Voshtina.
Në kuadër të 70-vjetorit të krijimit të Teatrit të Operas dhe Baletit u ndanë edhe çmimet “Çesk Zadeja” për kompozitorët e rinj, por ajo thotë se institucioni gjithmonë e më tepër ka në fokus politikat për mbështetjen e të rinjve.
Sipas saj konkursi “Gjerdani i artë”, është një mundësi më shumë që Teatri i Operës ofron për kompozitorët e rinj shqiptarë.
“Brenda dhjetorit do të nxjerrim konkursin e ri ‘Gjerdani i Artë’, i cili do të bazohet vetëm në folkun tonë. Ky konkurs do të nxisë krijimet e reja dhe do japë një shtysë, e cila mungonte prej më shumë se 3 dekadash tek Ansambli Shtetëror”.
Gjatë kësaj periudhe drejtimi, ajo veçon edhe bashkëpunimin me artistë nga teatro të tjerë jashtë vendit, ku siç thotë vetë ajo eksperienca me ta ka qenë shumë ndihmuese për artistët tanë.
“Bashkëpunimet sjellin dialog. Dialogu ndihmon në hapjen e mendjes, fuqizimin e kulturave. Kanë qenë partnerë të denjë të artistëve tanë dhe kjo ka krijuar një klimë të mrekullueshme dhe vlerësim të dyanshëm”.
Gjatë këtij viti në TKOB, një risi ishin edhe masterclass-et, (dy prej tyre të mbajtur me Ermonela Jahon) të cilat u shoqëruan edhe me debate. Voshtina thekson se këto masterclase me artistë shqiptarë që kanë mbretëruar skenat europiane, synojnë të kthehen në traditë.
“Akademia Teatrale do të vazhdojë sepse është pjesë e politikave strategjike. Artisti është si lulja ‘po nuk e ujite dhe nuk i jep vëmendjen e duhur’ nuk rritet”, thotë Voshtina, ndërsa shton se “dhe këtë gjë mund ta bëjë vetëm akademia teatrale, e cila, do të ndërtojë në mënyrë sistematike një brez artistësh, të cilët do të jenë ata që do të vijojnë me një cilësi artistike dhe me një sens estetik, shumë afër asaj që punohet edhe nëpër teatrot e tjerë”.
Ajo ndan edhe projektet e afërta që TKOB ka në këtë fundvit.
“Edhe këtë dhjetor do të dalim me një kalendar 1-vjeçar të plotë dhe me prezantimin e drejtorit artistik të Baletit”.
Më 31 gusht 2022 kur deklaroi hapjen e sezonit, Voshtina do të premtonte edhe një kalendar 2-vjeçar, por sipas saj kalendari ende mbetet një sfidë.
“Ngelet akoma ambicia ime për një kalendar 2-vjeçar, por kushtet e skuadrës nuk kanë qenë optimale. Siç e keni parë drejtorët artistikë janë bërë pjesë e skuadrës dalëngadalë dhe ky objektiv akoma ngelet për realizim. Jam e bindur që me kompletimin skuadrës manaxheriale artistike teatri do të dalë me kalendarin e tij nëntor 2024/25-26”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.