Njerez

Rikthimi i Nënë Terezës në atdhe, pas dekadash refuzimi

Nga Gazeta “SI”- Më 14 gusht 1989, aeroporti i Rinasit priti një vizitore të veçantë. Një grua e vogël në trup, e veshur me sari të bardhë me vija blu, hapi me kujdes hapat mbi tokën shqiptare pas shumë dekadash malli. Nënë Tereza, gruaja më e nderuar në botë, kishte ardhur për herë të parë në vendin e origjinës së saj. Që prej viteve të largëta kishte kërkuar leje për të vizituar Shqipërinë, për të puthur tokën ku kishte lindur dhe për të lutur mbi varret e nënës dhe motrës. Por kërkesat e saj, të dërguara në forma të ndryshme, përfundonin të arkivuara si dokumente sekrete në zyrat e Tiranës dhe përgjigja e vetme ishte heshtja.

Në atë kohë, vendi ishte ende nën regjimin komunist të Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës, të cilët me justifikime të ndryshme penguan ardhjen e saj për vite të tëra. Leja u dha vetëm pasi presioni ndërkombëtar u bë i pashmangshëm dhe pas një serie negociatash të kujdesshme diplomatike. Ishte ambasadori shqiptar në Itali, Dashnor Dervishi, ai që kishte ndërmjetësuar përmes takimeve dhe bisedimeve të gjata, duke përdorur çdo mundësi që i ofronte pozicioni i tij për ta bërë të mundur vizitën. Një ndihmë të çmuar dha edhe profesori arbëresh Giuseppe Catapano, mik i hershëm i ambasadës në Romë, i cili e përmendi i pari në bisedat zyrtare emrin e murgeshës shqiptare që kishte ndërtuar një nga komunitetet më të mëdha humanitare në botë.

Atmosfera ndërkombëtare e fundviteve ’80 po ndryshonte. Selia e Shenjtë, nën drejtimin e Papa Gjon Palit II, po luante një rol aktiv në përplasjen ideologjike të Luftës së Ftohtë. Papa, që në dhjetor 1980 kishte përfshirë gjuhën shqipe në urimin e tij të Vitit të Ri, e njihte nga afër figurën e Nënë Terezës dhe e mbështeti hapur dëshirën e saj për të vizituar Shqipërinë.

Kur më në fund avionët hapën dyert atë gusht të vitit 1989, Nënë Tereza zbriti e shoqëruar nga Dom Gjergj Gashi dhe ambasadori Dervishi. Ajo shkoi menjëherë të vizitonte varret e nënës dhe motrës, duke përmbushur kështu dy nga dëshirat më të hershme të saj. Vetëm pak muaj më vonë, më 14 shkurt 1990, iu dha edhe nënshtetësia shqiptare.

Historia e saj nis më 26 gusht 1910 në Shkup, ku lindi Anjezë Gonxhe Bojaxhiu nga babai Nikollë Bojaxhiu, me origjinë nga Mirdita, dhe nëna Drane Barnaj, nga Gjakova. Ajo përfundoi shkollën fillore dhe gjimnazin në qytetin e lindjes, duke treguar prirje për mësimdhënie, poezi dhe muzikë. Më 26 shtator 1928, e nisur nga thirrja e misionit fetar, u largua për në Indi, ku në Kalkutë kaloi fillimisht si mësuese dhe më pas si drejtoreshë shkolle. Në vitin 1951 themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë”, i cili do të shtrihej në të gjithë botën për t’u shërbyer të varfërve, të sëmurëve dhe të braktisurve.

Në vitin 1979, puna e saj e palodhur u vlerësua me Çmimin Nobel për Paqen. Në mesin e viteve ’80, misionet e saj në Kalkutë kishin nën kujdes mijëra fëmijë, të sëmurë, viktima të lebrozës dhe të moshuar të braktisur, duke bërë që emri i saj të kthehej në simbol të humanizmit.

Pas ndryshimeve politike në Shqipëri, Nënë Tereza u kthye disa herë, duke hapur shtëpi të Misionareve të Dashurisë në vitin 1991 dhe duke ruajtur gjithmonë lidhjen shpirtërore me vendin e saj. Ajo u nda nga jeta më 6 shtator 1997. Më 19 tetor 2003 u lumturua nga Papa Gjon Pali II dhe më 4 shtator 2016 u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u njohur përgjithmonë si Shën Tereza e Kalkutës.

Mesazhet e saj te paqes, prekën zemrat e miliona besimtarëve nëpër botë duke u shndërruar kështu në një nga figurat më frymëzuese të historisë së njerëzimit


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë