Arsim

Rikthimi i konkursit te Mjeksia dhe Stomatologjia, eksperti: Ndërhyrjet në maturë, me të paktën një efekt 3 vjeçar

Raporti i fundit tregoi se është i nevojshëm një riformim për Maturën Shtetërore.
Ndër të parat të specifikuara, ishte një provim shtesë pas Maturës Shtetërore, për degët “Mjekësi e Përgjithshme” dhe “Stomatologji”.

Por si është menduar të realizohet ky provim?

Ministria e Arsimit dhe Sportit i tha Gazetasi.al, se testi mendohet të jetë i vëzhguar edhe me kamera edhe me vëzhgues.

“Pyetjet mendohet të gjenerohen elektronikisht në çast dhe përgjigjet merren direkt pas testit. Synimi është që të dëshmohet se si ka qenë vlerësimi i nxënësit në vitet e gjimnazit/shkollës së mesme, si dhe provimeve të maturës”, ka vijuar më tej Ministria.

Foto ilustruese-Matura Shteterore 2022- Gazeta “Si”- 10.07.2022.

Është menduar nga Ministria e Arsimit në testin pilot do të futen vetëm të rinjtë që zgjedhin një nga degët më të preferuara nga ekselentët, maturantët e mirë.

“Deri tani mendohet të jetë Mjekësia e Përgjithshme, ndoshta edhe Stomatologjia.
Për anën teknike ende nuk ka nisur puna, por nëse vendoset të bëhet, do të përgatitet intensivisht i gjithë sistemi, ku fondi i pyetjeve do të përgatitet nga QSHA-ja”, thotë më tej zëdhënësi i ministrisë.

A do funksionojë ky proces?

Eksperti i arsimit Qemal Çejku, shpjegoi se reforma më e madhe për maturën shtetërore u realizua para 16 vitesh.

“Ishte reforma më e madhe sepse konkurset e pranimit në universitete të atyre viteve ishin kthyer në qoka, apo më keq element korruptiv me shumë rrezik për sistemin arsimor por dhe për vetë studentët”, shpjegon Çejku.

Eksperti shton se këto reforma nuk mund të merren pa u studiuar. Sipas tij, kjo ka ardhur nga presioni i ekspertëve të pavarur.

Ekspert Arsimi- Qemal Çejku-Gazeta “Si”- 10.07.2022.

“Nuk mendoj se është zgjidhja e duhur pasi, para se të shkojmë tek testi paraprak, duhet të rregullojmë diçka në maturë. Në vitin 2019 është bërë një ndryshim që mendoj se ishte një gabim pasi formimi i thelluar realizohej me të paktën dy lëndë dhe vlerësohej me dy provimet me zgjedhje të maturës. Nga viti 2019 u përgjysmua formimi i thelluar vetëm në një lëndë dhe u bë vetëm një provim me zgjedhje”, vijon më tej Çejku. 

Sipas tij këto defekte shkencore të thelluara të lëndëve nuk kuptohen në maturë, por dhe një analizë e këtyre ndryshimeve nuk është bërë.
Eksperti shpjegon se që të kemi ndërhyrje në maturë duhet kujdes dhe efektet të jenë të paktën 3 vjeçare.

Në këndvështrimin e Çejkut nëse flasim për cilësi në universitet, kjo ka shumë lidhje me nivelin në arsimin e mesëm.

Ai shton se nëse kemi një nivel të mirë në gjimnaz, do kemi një strategji dhe në tekstet që sot kemi, në hartimet e testeve të maturës si dhe në organizimin dhe administrimin e ditës së provimit, e cila sipas Çejkut ka shumë probleme.

“Testimi hyrës në universitete si model i provimit licensës së mësuesit ose e thënë ndryshe provimi i shtetit, është ajo çfarë është propozuar nga ne; sot për sot është modeli më i mirë dhe më i sigurtë, por para se te shkojmë këtu duhet reformë në arsimin e mesëm dhe në provimin e maturës”, shton Çejku.

Më tej eksperti shton se nuk kemi të dhëna dhe statistika se sa studentë fillojnë një degë, sa nga ata mbarojnë vitin e parë, sa i mbarojnë këta studime.

“Sepse sot fiktiviteti është kryefjala në arsim, për këtë fiktivitet kontribuojnë, prindër, mësues, drejtues shkollash, nxënës e studentë, por dhe institucione arsimore dhe vetë ministria e arsimit, pasi ka vite që bëjmë një maturë aspak të mirë”, përfundon Çejku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë