Art dhe Kulture

Rikthimi i Karnavaleve, Zamira Kita: Këtë vit do të ketë atmosferë të jashtëzakonshme

Korça, e njohur për Karnavalet e famshme, e ka rikthyer këtë traditë duke e shndërruar në një nga festat më të bujshme të qytetit. Këtë vit Karnavalet do të mbahen nesër (12 qershor) dhe mund të quhet me plot gojë eventi që hap sezonin veror në qytetin juglindor.

Ndryshe nga vitet e tjera që Karnavalet janë organizuar në dy ditë, këtë vit për shkak të daljes nga pandemia festimet do të vijnë vetëm në një ditë.

Drejtoresha e Qendrës së Artit, Zamira Kita e pyetur nga Gazeta “Si” zbulon më tepër rreth përgatitjeve dhe aktiviteteve që do të festohen nesër. Risia e këtij viti është se nuk do të ketë karnaval vetëm në sheshin qendror.

“Këtë vit kemi një organizim ndryshe që të mos kemi grupime vetëm në një vend. Do të kemi karnaval nesër që nga ora 11 e paradites në të gjitha rrugët, rrugicat, sheshet kryesore të qytetit. Do të kemi Karnavale në Bulevardin Republika, në zonën e pedonales, te sheshi para katedrales, tek sheshi i Muzeut të Artit Mesjetar, te Shëtitorja Fan Noli, pranë Xhamisë së qytetit. Pra do të kemi një shtrirje kudo”, shprehet Kita për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “përveç grupeve që do të jenë të veshur karnaval dhe që do të lëvizin në rrugicat karakteristike, do të kemi dhe makina që do të lëvizin me karnavale”.

Drejtoresha e Qendrës së Artit, Zamira Kita

Ajo thotë për Gazetën “Si” se rrugët e qytetit simbol të kësaj feste kanë filluar të zbukurohen prej ditësh si përgatitje për Karnavalet, gjë që ka bërë që qyteti të përfshihet në një atmosferë festive, që përpara nisjes së paradave.

“Do të përpiqemi që atmosferën e karnavaleve ta kemi kudo. Ndërkohë atmosfera ka ditë që ka filluar me dekorimin e qytetit me maska shumë të bukura gjigande.  Gjithsej do të kemi 30 grupe, ku 25 grupe janë grupe të Korçës. Kemi veshur gati 400 persona, pra 400 kostume dhe maska, dhe qyteti është i organizuar i tëri. Ka shumë që kërkojnë maska dhe kostume, që t’i bashkohen karnavalit. Qyteti do të jetë i gjithi në festë”, thotë Kita.

Gjatë orëve të pasdites, Karnavalet do të grupohen në dy pika kryesore, për të përfunduar më vonë te Pazari i Vjetër i qytetit.

“Karnavalet do të grupohen në dy pika: Lëndina e Lotëve dhe Birra Korça. Karnavali do të kulmojë me paradën klasike në orën 18:30 në Bulevardin Republika, dhe te shëtitore Fan Noli për të vazhduar me festimet ‘Party Karnaval’ rreth orës 22:30 te Pazari i Vjetër’, thotë Kita.

Në këto Karnavale nuk do të marrin pjesë vetëm grupet e Korçës, që në total janë 25, por edhe trupa nga Shkupi, Tirana dhe Durrësi. Çdo grup do të vijë me një fabul dhe çdo fabul do të përcjellë një mesazh të veçantë.

“Do të kemi grupe të ardhura nga Shkupi që kemi një grup me 22 persona. Do të kemi grupin e Durrësit që sjellin një grup çehovian dhe do të kemi aktorë dhe jo vetëm të Teatrit të Durrësit. Një tjetër grup do të jetë nga Tirana, të cilët do të kenë të veshura kostume të ndryshme klasike, historike dhe teatrale. Do të kemi kostume të kafshëve siç kemi bletët arinjtë, lopët. Çdo grup do të ketë një box me vete që do të ketë muzikën karakteristike të grupit”.

Kita shprehet se “një grup tjetër i ri do të jetë ‘Sulejmani i Madhërishëm’, sepse duhet me humor t’i ngacmojnë të gjithë ata njerëz që shohin telenovelat, dhe do të dëshironim që të kalonin më shumë kohë me aktivitete kulturore-artistike”.

Ditën e nesërme, qytetarët dhe vizitorët që do të bëhen pjesë e kësaj feste do të shijojnë Karnavalet kudo nëpër qytetin e Korçës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë