Nga Gazeta ‘SI’ – A është bota në prag të një pandemie nga gripi i shpendëve?
Ky është shqetësimi i ekspertëve të shëndetit dhe ekonomisë, ndërsa bota po përballet sërish me H5N1, gripin e shpendëve. Kujtimet e këqija nga përvojat e kaluara me këtë grip po nxisin masa për të shmangur një krizë tjetër vezësh, që do të dëmtonte më tej konsumatorët.
Me një plan 500 milion dollarësh, administrata Trump synon të ndihmojë industrinë e pularisë, që vetëm në muajt e parë të vitit ka asgjesuar më shumë se 50 mln pula dhe zogj. Tregu po përballet me mungesë të vezëve për shkak të rënies së prodhimit nëpër pulari dhe të gjithë janë të shqetësuar nëse vezët do të jenë më ndonjëherë “të përballueshme”.
Si pasojë, çmimi i vezëve në SHBA është kthyer në shqetësimin më të madh të amerikanëve, duke u rritur me 15% nga muaji dhjetor. Restorantet po rrisin çmimet e pjatave që kanë vezë në përbërje. Një kuti normale me 12 vezë kushton tashmë 5 dollarë.
Ekonomistët kanë ngritur alarmin për efektet afatgjata në treg në rast se nis dëmtimi dhe tek fermat e vogla, që u duhet mbi një vit për të rritur një grup të ri pulash për të prodhuar vezë.
Fermerët në SHBA po akuzojnë bizneset e mëdha po abuzojnë me çmimet në emër të gripit të shpendëve, për të rritur fitimet e tyre.
Oligarkia e vezëve
Një studim i këtij tregu në SHBA gjeti se fitimet dhe vlera (aksionet) e kompanive të vezëve në SHBA janë trefishuar çdo periudhë gripi. Një aksion i Cal-Maine, kompanisë më të madhe të vezëve atje, ishin 40$ në 2022-shin dhe është tashmë 116$.
Sipas llogarive, Cal-Maine ka fituar 1 dollar shtesë për çdo pako vezësh të shitura duke fituar 1 miliardë dollarë mbi fitimin e zakonshëm. Po ashtu, sipas raportit, vezët përballen me rritje të tjera të çmimit gjatë zinxhirit prodhues-shitës-konsumatorë, duke dëmtuar këtë të fundit.
Në konkluzion studimi gjen se korporatat e ushqimit e përkeqësojnë përhapjen e sëmundjeve nëpër ferma, duke shfrytëzuar mundësitë për fitime më të mëdha.
Gripi i shpendëve në Shqipëri
Paralelisht me SHBA-në, gripi i shpendëve është rikthyer edhe në Shqipëri, ku priten efekte të ngjashme. Ministria e Bujqësisë njoftoi se është karantinuar një nga kapanonet e firmës “Rea’s” në Durrës, ku ngordhën dhjetëra pula për shkak të infektimit. Por kjo nuk është hera e parë që Shqipëria bie “viktimë” e H5N1.
Për herë të parë, gripi i shpendëve në Shqipëri u raportua në 2006-n shumë pranë Tiranës, por të dhënat për këtë periudhë janë të kufizuara. Kryeministri i Shqipërisë atëkohë, Sali Berisha, për të shuar panikun e konsumatorëve mblodhi në një drekë publike qeverinë, artistë e gazetarë duke ngrënë mish pule e vezë. “Është tmerrësisht e dëmshme që qytetarët në mënyrë të pamotivuar thjesht për efekte mediatike të privohen nga një ushqim kaq i domosdoshëm për të gjithë fëmijët shqiptarë, një ushqim kaq i domosdoshëm për të gjithë qytetarët shqiptarë, siç janë veza dhe pula”, u shpreh Berisha marsin e 2006-s.
Atëherë virusi i përhap shpejt në të gjithë botën, me origjinë Afrikën duke u quajtur zyrtarisht një pandemi. Viktimat e para u regjistruan në Turqi dhe të tjerë u raportuan në hemisferën lindore. OBSH raporton se 153 njerëz vdiqën nga H5N1 në vitin 2006. Banka Botërore përllogariti se PBB-ja e botës u reduktua me rreth 2% si pasojë e humbjeve.

Rasti i fundit ishte e njëjta periudhë e 2022-shit, kur mijëra pula u asgjësuan për shkak të infektimit që preku disa prej pularive në qytetin e Durrësit, por kishte vatra aktive edhe në qytete të tjera të vendit. Atëherë, lajmi nxiti dy efekte; panikun e konsumatorëve dhe rritjen e çmimit të vezëve, që duket se do të rikthehen me rikthimin e gripit.
Në 2022-shin, Gazetasi.al raportoi për një rënie të konsumit të mishit të pulës dhe vezëve, si pasojë e një “sabotimi” nga qytetarët e shqetësuar për shëndetin e tyre, edhe pse autoritetet patën njoftuar se produktet në treg janë të sigurta. Këshillat për gatim në temperatura maksimale nuk ishin më bindëse për qytetarët

Si pasojë e dëmeve nëpër pulari, oferta e vezëve në treg kufizohet, duke vënë në jetë rregullin e parë të ekonomisë; rritjen e çmimit.
Në një monitorim të Gazetasi.al, dy javë pas përhapjes së gripit të shpendëve, rezultoi se çmimi i vezëve ishte rritur me 25%. Një kokërr vezë shitej 5 lekë më shumë pas njoftimit të gripit, si pasojë dhe e peshës së tregut që mbante pularia e infektuar atëherë.
Çmimi i vezëve u rikthye në “normalitet” një vit më vonë, për shkak të zhvlerësimit të euros, monedhë në të cilën kompanitë importojnë lëndët e nevojshme për rritjen e pulave dhe prodhimin e vezëve.

Vonë, raste të raportuara nga vendet e prekura, konfirmuan se gripi i shpendëve mund të prekë njerëzit e të shkaktojë dhe vdekje, duke shtuar panikun. Dy grupet e njerëzve që janë më të rrezikuar janë punëtorët e qumështit dhe shpendëve dhe njerëzit që kanë tufa shpendësh në oborrin e shtëpisë.
Studimet kanë gjetur përqendrime të larta të virusit të gripit të shpendëve në qumështin e papërpunuar dhe kjo është një nga mënyrat se si mund të infektohen njerëzit, duke qenë në kontakt me qumështin e papërpunuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.