Art dhe Kulture

Rikthim pas 13 vjetësh në skenën e TKOB me operan ‘Toska’. Duartrokitje të gjata për tenorin Saimir Pirgu

Pas 13 vjetësh mungesë, Saimir Pirgu mori mbrëmë duartrokitjet e publikut shqiptar. Tenori me famë botërore këndoi në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit, rolin e Kavaradosit, në operan “Toska” të Puçinit.

Biletat e kësaj shfaqjeje të shumëpritur ishin shitur në kohë rekord. “Toska” megjithëse e vënë shumë herë në skenën e TKOB-së, mori rëndësi për faktin se përveç rikthimit të tenorit Pirgu, i jep fund “Vitit Puçinian”, në nder të kompozitorit Xhakomo Puçini.

TKOB ka përgatitur 4 netë unike me 2 kaste artistësh, ku përkrah Saimir Pirgut këndojnë Krassimira Stoyanova, Carlos Almaguer e Eva Golemi.

“Toska” është një udhëtim mes pasionit, xhelozisë dhe sakrificës. Ngjarjet vendosen në Romën e shekullit XIX dhe eksplorojnë marrëdhënien komplekse mes një këngëtareje pasionante, një artisti idealist dhe një shefi policie sadist.

Opera kësaj here vjen me një produksion të jashtëzakonshëm të Fondazione Festival Torre del Lago, i cili kremton 100-vjetorin e Puccinit duke sjellë në TKOB një regjisore të përmasave botërore siç është Manu Lalli. (ATA)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë