Rend dhe Ligj

Vettingu në Polici, konfirmohet në detyrë kryepolici i Shkodrës

Gazeta Si – Edmond Sulaj, drejtor i Policisë Shkodër u konfirmua në detyrë. Në tre kriteret, atë të pasurisë, integritetit dhe profesionit, Sulaj kaloi me sukses.

Trupa vlerësuese me kryesues Arben Sefajn, relatore Denisa Sina dhe me anëtare Suela Bulkun, pas kontrollit të pasurisë, aftësisë profesionale dhe pastërtisë së figurës, vendosën konfirmimin në detyrë të Sulajt.

“Arrijmë më përfundimin se subjekti i vlerësimit, zoti Edmond Sulaj, në përputhje me nenin 60, të ligjit 12/2018 të ndryshuar, ka plotësuar së bashku kushtet e mëposhtme: konstatohet nivel i besueshëm në vlerësimin e pasurisë, në kontrollin e figurës, nivel i mjaftueshëm në vlerësimin e aftësive profesionale. Për këto arsye trupa e vlerësimit të AMP, bazuar në pikën 7 të nenit, të pikës 56, të ligjit 12/2018, pasi u mblodh në dhomën e këshillimit, vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit në detyrë, zotit Edmond Sulaj, me funksion Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në Policinë e Shtetit”, – tha trupa shqyrtuese.

Pas më shumë se 8 muajsh, rikthehet Vetttingu në radhët e policisë, një proces i ndërprerë që këtë herë do të kryhet nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Në “skanerët”  e AMP-së do të kalojnë fillimisht 36 drejtues të policisë, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Gardës së Republikës.

Pas ndryshimeve të fundit ligjore, 3 drejtues të lartë të policisë dhe AMP-së do të përballen këtë të hënë me Trupën e Vlerësimit Kalimtar.

Seancat publike do të mbahen në sallën e konferencave të Ministrisë së Brendshme dhe janë të hapura për publikun e median.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë