Ne rrjet

Rikthehet hija e armëve bërthamore, 12 mijë koka luftarake në duart e 9 vendeve. 2100 janë gati për përdorim

Teknologjia ofron armë të sofistikuara, por negociatat për t'i frenuar ato kanë ngecur pas pushtimit rus në Ukrainë

Gazeta Si- Një flluskë e madhe drite godet Londrën. Ajo shkatërron Parlamentin e Ëestminsterit, më pas Pallatin Buckingham dhe rrokaqiellin "The Shard", i projektuar nga Renzo Piano.

Rrëzon ndërtesat, rrafshon me tokë e lagje të tëra. Në fund, këtu është profili i keq i resë së kërpudhave që ngrihet mbi kryeqytetin britanik.

Videoja zgjat katër minuta. Është simulimi i një bombardimi bërthamor rus në metropolin anglez që përfundon me vlerësime të tmerrshme: 850 mijë të vdekur, mbi 2 milionë të plagosur.

Videoja kishte qarkulluar tashmë muajt e fundit, por është rishfaqur ditët e fundit në kanalin televiziv “Tsargrad”, i cili drejtohet nga oligarku Konstantin Malofeev, një biznesmen me lidhje të ngushta me kishën ortodokse dhe mbi të gjitha me Vladimir Putinin.

Thjesht një provokim, një tjetër truk marketingu terrorist i promovuar nga Moska? Sigurisht që të gjithë shpresojmë që të jetë kështu. Ndërkohë, megjithatë, dje vetë Putin deklaroi: ne do t'i trajtojmë si agresorë ato fuqi bërthamore që mbështesin ata që sulmojnë territorin tonë: “Ne mund të përgjigjemi me armë atomike”.

Pasi panë asgjësimin virtual të Londrës, mediat britanike arritën në përfundimin se paralajmërimi i Putinit kishte për qëllim mbi të gjitha qeverinë e udhëhequr nga Keir Starmer, një nga mbështetësit më të vendosur të strategjisë së Volodymyr Zelenskit. Pra, goditja e fortë e bazave ushtarake edhe brenda territorit armik.

Shqetësimi

Në çdo rast, fjalët e liderit rus dhe ato imazhe apokaliptike rindezin shqetësimet në opinionin publik në vendet perëndimore. Rreziku i një përshkallëzimi bërthamor nuk mund të përjashtohet, siç thonë gjeneralët e Pentagonit.

Të shtunën e 21 shtatorit u bë e ditur se një provë e re e raketës ndërkontinentale “Sarmat”, në gjendje për të mbajtur koka bërthamore, kishte dështuar.

Është një nga pajisjet më vdekjeprurëse që ruhet në depot ruse. Në vitin 2018, Putin tregoi një klip të një “Sarmat”-i që po binte në Florida.

Por problemi nuk është vetëm Putini. Me një mbivendosje që nuk duket aspak e rastësishme, po lëviz edhe Kina.

Dy ditë më parë Pekini lëshoi ​​një raketë ndërkontinentale, e cila më pas ra në Oqeanin Paqësor. Kjo nuk ka ndodhur që nga viti 1980. Uashingtoni thuhet se ndoqi me alarm atë që Ministria Kineze e Mbrojtjes e quajti "një test rutinë".

Në realitet, bota po përjeton një fazë të riarmatimit bërthamor, siç konfirmohet nga raporti më i fundit i “Sipri” (Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm), i botuar të martën më 24 shtator.

Instituti autoritar suedez përshkruan një skenar shqetësues, bazuar në të dhënat e pakta të disponueshme zyrtarisht.

Sot ka nëntë shtete që zotërojnë një arsenal atomik: Shtetet e Bashkuara, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Kina, India, Pakistani, Koreja e Veriut dhe Izraeli.

Në total, ky grup vendesh ka 12.121 koka bërthamore, nga të cilat 9.585 janë potencialisht të gatshme për përdorim.

Nisja e menjëhershme

“Sipri” llogarit se 3.904 pajisje janë vendosur tashmë, duke përfshirë 2.100 në gjendje të "gatishmërisë së lartë operacionale", d.m.th. të përgatitura për nisje të menjëhershme.

Kujdes, sepse të gatshëm për të goditur janë 100 më shumë se vitin e kaluar. Kjo do të thotë se trendi i frenimit, nëse jo i reduktimi të rreziqeve, është rikthyer. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia kontrollojnë 90% të armëve në botë.

Në detaje, Uashingtoni ka 5.044 koka luftarake, nga të cilat 1.770 janë “të dislokuara”. Moska numëron gjithsej 5.580 pajisje, me 1.710 tashmë funksionale.

Në renditjen e fuqive atomike, pason Mbretëria e Bashkuar, me gjithsej 225 bomba, përfshirë 120 në terren; Franca, me një numër të përgjithshëm prej 290 dhe 280 të dislokuara.

Kina e udhëhequr nga Xi Jinping, për momentin, duket e largët: vetëm 24 pajisje të aktivizuara, por me një inventar prej 500 bombash.

Planet e Pekinit

Megjithatë, planet e Pekinit duket se janë të destinuara të ndryshojnë ekuilibrin e parandalimit apo rrezikut global.

Pritet që deri në vitin 2030, kinezët të arrijnë me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë në numrin e raketave balistike ndërkontinentale.

Vende të tjera, si Mbretëria e Bashkuar, India dhe Pakistani, planifikojnë gjithashtu të rrisin rezervat e tyre bërthamore.

Jemi dëshmitarë të dy fenomeneve të kundërta. Nga njëra anë, zhvillimi teknologjik ofron armë gjithnjë e më të sofistikuara dhe gjithnjë e më shkatërruese.

Nga ana tjetër, diplomacia ndërkombëtare nuk duket e aftë të rifillojë negociatat për të frenuar përhapjen bërthamore.

Dialogu u ndërpre

Dialogu midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë u ndërpre në shkurt të vitit 2023, kur Putini vendosi të tërhiqej nga Traktati i "Fillimit të Ri", i cili vendosi një tavan prej 1.550 kokash bërthamore dhe 700 "mjete" (raketa, avionë, nëndetëse) në secilën anë.

Megjithatë, dy vjet më parë, në shkurt 2021, presidenti rus kishte rënë dakord të zgjaste kohëzgjatjen e marrëveshjes deri në vitin 2026.

Dhe për një kohë të gjatë, Biden shpresonte të përfshinte edhe Xi Jinping në negociatat për çarmatimin e pjesshëm. Por agresioni kundër Ukrainës ndryshoi gjithçka.

Burimi: "Corriere della Sera"; Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë