Rend dhe Ligj

Rikthehet Artan Didi, ish-kryepolici në garë mes 6 kandidatëve për kreun e Gardës së Republikës

Gazeta Si - Mes 6 kandidtëve në garë për të drejtuar Gardën e Republikës është edhe Artan Didi, ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i dorëhequr 9 vite më parë.

I rikthyer nga SHBA-të, Didi ka aplikuar për të drejtuar një nga institucionet e rëndësishme të sigurisë së personaliteteve në vend.

Bashkë më të në garë janë edhe Dritan Osmani, Krenar Carçani, Klajdi Hajredinaj, Ermal Onuzi dhe e vetmja grua, Jona Lamko.

Në vitin 2015 Didi u largua nga drejtimi i bluve pas diskutimeve se në atë kohë shkak u bë shkelja e procedurave ligjore të shefit të Interpolit, Artan Bajraktari dhe vartëses së tij, Loreta Alla, të arrestuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm për çështjen e ekstradimit të deputetit, Mark Frroku, të cilët më vonë morën pafajësi.

Ky institucion prej 5 muajsh është pa drejtues, pas dorëheqjes nga detyra të Gramos Sakos, i cili e drejtonte prej shtatorit 2013, si një ndër drejtuesit me jetëgjatë të post-komunizmit.

Për herë të parë, gara për drejtimin e Gardës bëhet me konkurs, ndërsa aplikimet janë mbyllur në datën 26 qershor me këto 6 kandidatura.

Aktualisht, burime pranë Ministrisë së Brendshme bëjnë me dije se kandidatët janë në proces vlerësimi që pritet të përfundojë brenda 45 ditëve. Komisioni vlerësimit do të rendisë kandidatët dhe do t'ia paraqesë Ministrit të Brendshëm, i cili kandidatin më të vlerësuar ia kalon kryeministrit për emërim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë