Naftëtarët e Ballshit u janë rikthyer sërish protestave përpara uzinës së qytetit.
Naftëtarët në protestën e sotme kanë paralajmëruar grevë urie. Ata shprehen se vetëm greva e urisë mund të sjellë reagim. Naftëtarët e Ballshit protestuan më 17 shtator përpara Ministrisë së Energjetikës dhe Infrastrukturës në Tiranë ku kërkuan nga qeveria të ndërhyjë te kompania menaxhuese e rafinerisë, e cila prej 10 muajsh nuk u ka dhënë pagat.
“Vetëm greva e urisë mund të sjellë reagim. Të shkojmë tek sfera që ndodhet në uzinë. Nuk kemi gjetur zgjidhje.
Jemi në mes të katër rrugëve. Kemi shkuar në Tiranë dhe nuk na priti asnjë njeri. Nuk kemi asnjë përgjigje për pagat. Nuk kemi asnjë përgjigje as për fillimin e punës”, kanë deklaruar naftëtarët.
Kreu i sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj, tha se qeveria po tallet me 900 familje naftëtarësh, duke i lënë pa para.
“Ne kemi 9 muaj që jemi në rrugë, kjo është tallje. Palët bëjnë show këtu në Ballsh. Naftëtarët menduan se do fillonte puna, por kjo është një tallje. Ata po tallen me 900 familje naftëtarësh. Zemërimi i naftëtarëve ka arritur kulmin”, është shprehur ndër të tjera Dautaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




