Nga Gazeta “SI”– Pas më shumë se 30 vitesh ndërprerjeje, në kalanë e Gjirokastrës kanë nisur sërish gërmimet arkeologjike. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore njoftoi se prej tre ditësh po vijon puna në terren. Gërmimet do të zgjasin gjatë gjithë muajit korrik.

Qëllimi i këtij projekti është të zbardhë fazat më të hershme të ndërtimit të kalasë, duke shtuar njohuritë shkencore mbi këtë monument dhe duke pasuruar ofertën kulturore për vizitorët.

Zbulimet e para janë premtuese: gjurmët e një kulle që daton në periudhën e antikitetit të vonë (shek. V–VI pas Krishtit), së bashku me materiale të tjera karakteristike të kësaj epoke, janë prova të rëndësishme që dokumentohen për herë të parë.

Ato ofrojnë të dhëna të reja mbi origjinën e kalasë. E ndërtuar mbi një kodër në lartësinë 370 metra mbi nivelin e detit, kalaja mbetet simboli më i njohur i Gjirokastrës , qytetit të gurit që përmendet për herë të parë në vitin 1336 si qytet-kështjellë. Sot, ajo është një nga atraksionet më të vizituara për turistët vendas dhe të huaj që zbresin në Gjirokastrën e mbrojtur nga UNESCO
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.