Drejtësia

Rihetimi për ‘Gërdecin’ / Shtyhet seanca ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu, munguan prokurorët

Gazeta Si - Për shkak të mungesës së tre prokurorëve të SPAK, të cilët ndodhen jashtë Shqipërisë, seanca paraprake ndaj Fatmir Mediut për rihetimin e dosjes ‘Gërdeci”, është shtyrë në datën 23 mars.

Në këtë seancë, pas rreth dy javësh, në orën 14:00 pritet të jenë të pranishëm të gjitha palët, si Fatmir Mediu, ashtu edhe familjarët e 7-vjeçarit Edison Durdaj, një prej viktimaveë të tragjedisë.

Sot duhej të vendosej nëse çështja do të kalonte për gjykim, apo do t’i rikthehej sërish Prokurorisë së Posaçme për rihetim. Nga ana tjetër, në seancë ka munguar edhe vetë Mediu, i cili përfaqësohej nga avokatët e tij.

Të pranishëm në GJKKO, të shoqëruar nga avokati i tyre, ishin edhe Zamira dhe Feruzan Durda, të cilët humbën djalin e tyre 7 vjeçar në shpërthimin e Gërdecit në 15 mars 2008.

Durda, tha se e vetmja gjë që kërkon është drejtësi. “Thjeshtë kërkoj drejtësi, të vendoset drejtësia dhe të më japë një përgjigje përse Erisoni nuk jeton. Kaq kam kërkuar. Kam pritur 15 vjet, dua një përgjigje përse Erisoni nuk jeton. Kaq dua nga gjykata. Përsa kohë prokuroria ka çuar vetëm këtë (Fatmir Mediun) nga zyrtarët e lartë, unë këtë kam kërkuar që të hetohet dhe që të marrë o pafajësi, o fajësi, me të njëjtat prova”.

Në një reagim për gazetarët pas shtyrjes së seancës, avokati i familjes Durdaj, Dorian Matlija, i pyetur nëse ka besim tek drejtësia tha se gjëja më e rëndësishme është fakti që kjo çështje po hetohet.

Avokatët e ish-ministrit të Mbrojtjes do të kërkojnë pushimin e çështjes, pasi ata e konsiderojnë të parashkruar. Në rast se çështja nuk pushohet, avokatët do të kërkojnë gjykim të shkurtuar.

Janë dy vepra penale për të cilat akuzohet deputeti i Parlamentit Mediu, ajo e shpërdorimit të detyrës dhe shpërdorimi i detyrës në kuadër të kodit ushtarak, për të cilën tashmë do të përballet në Gjykatë.

Por përveç shpërdorimit të detyrës, sipas SPAK, kreu i PR-së është nën hetim edhe për dy akuza të tjera, ku është vendosur ndarja e çështjes: “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë apo i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në lidhje me dosjen "Gërdeci".

Nga ana tjetër, Mediu herën e fundit që ishte në SPAK, iu komunikuan akuzat zyrtare. Ai u shpreh se këto akuza janë të gjitha  të montuara ndaj tij dhe e gjithë çështja po përdoret për ta goditur atë politikisht.

SPAK e dorëzoi dosjen kundër ish-funksionarit, duke kërkuar gjykimin e tij, pasi dyshon se ish-ministri bashkëpunoi me zyrtarë të tjerë, duke nxjerrë akte nënligjore që dëmtuan shtetin në favor të kompanive SAC dhe Albademil, që të dyja të nënkontraktuara për demontimin e municioneve në Gërdec.

Dosja për Mediun u hap nga kallëzimi i familjes Durda, e cila humbi fëmijën në tragjedinë që u mori jetën 26 personave dhe plagosi 300 të tjerë. Por fati i ish-ministrit do jetë në duart e gjyqtarit paraprak që pritet ta kalojë çështjen në gjykim themeli.

Më herët në SPAK janë pyetur një sërë zyrtarësh dhe jo vetëm, midis tyre edhe Shkëlzen Berisha, djali i ish kryeministrit Berisha.

Në15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një "fabrikë" për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” e fëmijë të zonës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë