Rend dhe Ligj

Rihapet dosja Santo, SPAK do të hetojë nën dyshimet se pas ekzekutimit është një grup kriminal

Ekzekutimi mafioz i Artan Santos në qershorin e vitit 2014 në zemër të Tiranës do të rihetohet, këtë herë nga Prokuroria e Posaçme.

Dosja është hapur nga SPAK me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, nën dyshimet se pas vrasjes së bankierit qëndron një grup i strukturuar kriminal.

Top Channel raporton se pasi ka kryer një sërë veprimesh hetimore, Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencën dhe ia ka dorëzuar SPAK duke qenë se ka dyshime të forta se eliminimi i Artanit është kryer nga një grup kriminal dhe vrasës me pagesë.

Kjo çështje që prej javësh së kaluar është në duart e prokurorëve të posacëm kundër krimit të organizuar.

Artan Santo u ekzekutua në qershor të 2014-ës në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. E vetmja gjurmë e autorëve ishte motori me të cilin udhëtonin, të maskuar nga skafandrat mbrojtëse. Disa kohë më vonë, policia gjeti dy skafandra të ngjashme me ato të përdorura nga ekzekutuesit në një magazinë në zonën e Fushë-Krujës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë