Art dhe Kulture

Rhea Galanaki, shkrimtarja greke fiton Balkanika 2018

Poshtërimi ekstrem, romani për krizën greke merr trofeun e Balkanika 2018

Balkanika 2018, një ndër çmimet letrare më të rëndësishme në rajonin e Ballkanit iu akordua të shtunën në Tiranë shkrimtares greke Rhea Galanaki. Trofeu iu dorëzua shkrimtares nga kryetari i Jurisë Andrew Wachtel, i cili vlerësoi gjuhën dhe mesazhet bashkëkohore të veprës së Galanakit. “Jam shumë e lumtur. Ky nuk është një çmim vetëm për mua por për të gjithë shkrimtarët ballkanik”, u shpreh Galanaki. Ajo u vlerësua për romanin “Poshtërimi ekstrem” një libër i cili përqendrohet në natën kur Athina u dogj, të dielën, 12 Shkurt 2012. Një ish-filolog dhe ish-piktor, të cilët bashkëjetonin në një “bujtinë” në qendër të qytetit, dalin fshehurazi në demonstratat e zhvilluara. Vështrimi i tyre i zhdrejtë dhe i veçantë depërton në anën e padukshme dhe simbolike të konfliktit të dhunshëm. Të trembur, humbasin në qytetin e tyre pa e humbur sensin e tyre personal për ngjarjet. Kthimi është më afër se Ithaca e pamundur. Djali anarkist i një gruaje, argjendar i një të treti që kujdeset për ta, një emigrante e re dhe fëmija i saj, një mjek dhe një punonjës social, fantazmat e një shtëpie të shkatërruar Athinase dhe natyrisht, të porsaardhurit, kryqëzohen në mënyra të ndryshme në Athinë apo edhe pak më vonë.

Në këtë roman politiko-antropocentrik, gjenerata politeknike në largim hap dialogun e vështirë, të domosdoshëm, por edhe fatal, me kryengritjet e tanishme, përmbysjen e madhe të jetës në vitet e fundit, me kujtesën, por edhe me poshtërimin përfundimtar.

Por nuk ka qenë vetëm historia ajo që e bëri jurinë e edicionit të 21 të Balkanikës t’ia akordojë çmimin e madh shkrimtares greke. Galanaki dukej e lumtur teksa fliste me autorët shqiptarë në ceremoninë e mbajtur në Muzeun Historik Kombëtar. Shqipëria përfaqësohej në garën për këtë çmim me shkrimtaren Diana Çuli me romanin “Vrasje në kryeministri”, Rumania me shkrimtaren Dea Rusti me librin  "Libri i recetave të rrezikshme", Turqia me shkrimtaren Gaye Boralioğlu me librin  "Të biesh nga Toka" , Bullgaria me shkrimtarin  Petar Tchouhov me librin "Hapësirë shtëpiake" ndërsa Maqedonia e Veriut me shkrimtarin Vlada Uroshevic me librin "Maxhuni”.

Prej 21 vitesh Balkanika është një ndër çmimet letrare më të diskutuara në Ballkan. Për herë të parë ky çmim është fituar më 1997 nga shkrimtari serb David Albahari, i ndjekur më pas nga Anton Donchev nga Bullgaria, Nikos Bakolas nga Greqia, Vasile Andru nga Rumania, Venko Andonovski nga Maqedonia e Veriut, Fatos Kongoli nga Shqipëria, Ayfer Tunç nga Turqia, Dimitar Shumnaliev nga Bullgaria, Maro Douka nga Greqia, Tahsin Yücel nga Turqia, Vladislav Bajac nga Serbia, Sema Kaygusuz nga Turqia, Ismail Kadare nga Shqipëria, Aleksandar Prokopiev nga Maqedonia e Veriut, Nedim Gürsel nga Turqia, Zdravka Evtimova nga Bullgaria, Christos Chryssopoulos nga Greqia, Bashkim Shehu nga Shqipëria, Murat Ozyasar nga Turqia dhe Eugen Uricaru nga Rumania. “Balkanika” është një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore të rajonit të Ballkanit, që vitet e fundit po evidentohet si një lloj çmimi “NOBEL” në letërsinë ballkanike. Shkrimtari që e fiton këtë çmim letrar bëhet i njohur menjëherë në Ballkan në bazë të një marrëveshjeje, sipas të cilës ai duhet të përkthehet në të gjitha gjuhët ballkanike. Hapja e dyerve prej shtëpive më të mëdha botuese të Ballkanit i hap më pas dyert edhe në Europë. Prandaj “Balkanika” konsiderohet si çmimi më i rëndësishëm letrar që jepet në rajon për disa arsye: promovon arritjet letrare nga vendet e Ballkanit, jep informacion mbi prurjet e reja në fushën e letërsisë dhe kulturës, mbështet projektet kërkimore të letërsisë ballkanase dhe publikon veprat e këtyre autorëve në një revistë tremujore letrare, me shpresë që çdo lexues të jetë në gjendje të marrë informacionin e duhur në lidhje me autorët e përzgjedhur për këtë çmim dhe njohjen e letërsisë bashkëkohore ballkanase në përgjithësi.

Por kush ishin shkrimtarët që garuan këtë vit:

Rhea Galanaki lindi në Herakleion, Kretë dhe ka studiuar Histori dhe Arkeologji në Universitetin e Athinës. Ajo u shfaq fillimisht si poete në revista, të cilat luftonin periudhën e diktaturës në Greqi. Tani ajo konsiderohet si një nga romancieret kryesore të Greqisë.

Më së shumti është e njohur për romanet e saj, Jeta e Ismail Ferik Pasha 1989, Do ta nënshkruaj si Loui 1993, Eleni ose Askush 1998, Shekulli i Labirintëve 2002, Hesht, det i thellë 2006, Zjarret e Jouda-s dhe Hiri i Edipit 2009, Poshtërimi ekstrem 2015.

Ajo ka botuar gjithashtu dy koleksione tregimesh të shkurtra, dy koleksione esesh dhe poezi. Rhea Galanaki gjithashtu bashkëpunoi me regjisorin e filmit Theo Angelopoulos si këshilltare e skenarit në filmin e tij të fundit - dhe të papërfunduar Deti tjetër.

Diana Çuli, lindur me 13 prill 1951, Tiranë, është një shkrimtare, gazetare dhe politikane shqiptare. Ajo u diplomua në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tiranës më 1973. Pas diplomimit ajo u bashkua me bordet redaktuese të revistës Drita dhe revistës në frengjisht “Les Lettres Albanaises”. Në vitin 1990, ajo u përfshi me opozitën demokratike dhe u bë kryetarja e Forumit i Grave të Pavarura, dhe më pas iu bashkua Partisë Socialdemokrate Shqiptare. Ajo ka botuar disa romane të sukseshme, ndër to Jehonat e Jetës, 1980, “Zëri Largët”, 1983, “Dreri i Trotuareve”, 1986, Dielli në

Mesnatë, 2000, Ëngjëj të Armatosur, 2006, Gruaja në Kafe, 2009, dhe është autore e skenareve për filma si Hije që Mbeten Pas (1985), Rrethi i Kujtimit (1987), dhe Bregu i Ashpër (1988). Veç fushës së letërsisë, Diana Çuli ka spikatur gjatë 17 vjetëve të fundit si një nga aktivistet më efikase në mbrojtje të të drejtave të grave, duke drejtuar Forumin e Grave të Pavarura e duke luftuar me të gjitha mjetet demokratike për realizimin e këtij misioni fisnik.

Doina Ruști, lindur më 15 shkurt 1957, është një shkrimtare, skenariste, si dhe dirigjente e filmit rumun. Punimet e saj janë përkthyer në disa gjuhë, të paraqitura në panaire të shumta librash, si edhe evente ndërkombëtare. Ajo u bë e famshme kryesisht për shkak të romaneve të saj të shkruara mirë, duke mbuluar një larmi temash, shumica e të cilave janë botuar nga Polirom. Disa nga romanet e saj janë: Ghost at the Mill (2008), një roman i bollshëm për komunizmin Rumun, i cili i dha Çmimin për Prozën e Unionit të Shkrimtarëve Rumunë, Zogru (2006), ribotuar në Top10 + Collection, dhe Lizoanca in the Age of 11 (2009), fitoi Çmimin Ion Creangă të Akademisë Rumune. Bestselleri i saj Phanariot Manuscript (2015, 2016) hap serinë e trillimeve historike, e cila përfshin romanin e fundit Mâţa Vinerii / Libri i Recetave të Rrezikshme

Gaye Boralıoğlu është një gazetare dhe shkrimtare, e lindur në Stamboll. Ajo studioi filozofi sistematike dhe logjikë në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Stambollit. Ajo ka shkruar skenarin e disa serive dhe filmave televizivë, si Stuhia e Shtatorit, një film legjendar me regji të Atıf Yılmaz. Libri i saj i parë me histori Hepsi Hikâye (E gjithë historia) u botua në 2001. Romani i saj i parë Meçhul (I panjohuri), botua në 2004 dhe u pasua nga Aksak Ritim (Rhythm Syncopated) (2009), İçimdeki Ses(Tingulli Brenda Meje) (2013) dhe Mübarek Kadınlar (Gratë e Shenjta) (2014). Romanit Aksak Ritim iu dha çmimi letrar Notre Dame de Sion dhe Mübarek Kadınlar fitoi çmimin Story Yunus Nadi. Romani i saj i fundit Dünyadan Aşağı (Të Biesh ngaToka) është botuar në mars të 2018-ës, dhe është jashtëzakonisht i mirëpritur.

Petar Tchouhov, mban një B.A. në Shkenca Bibliotekare dhe një M.A në Shkencat Sociale. Punimet e tij janë botuar në shumë gazeta, revista dhe antologji në Bullgari dhe jashtë saj, duke përfshirë: A New Resonance 5: Emerging Voices in English-Language Haiku (Red Moon Press, 2007), The Red Moon Anthology of English- Language Haiku (2006, 2007, 2008, 2009), Simply Haiku, The Heron’s Nest, FullMoon, Roadrunner, Tinywords, Frogpond, Modern Haiku, Bottle rockets, Contemporary Haibun, Haiku Presence, Magnapoets, Ginyu, World Haiku (2006, 2007 dhe 2010), Mainichi Daily, etj.

Vlada Uroshevic (1934, Shkup) është një shkrimtar maqedonas që shkruan poezi, prozë, kritikë, ese, dhe që ka përpiluar disa antologji e përkthyer shumë vepra letrare. Ashtë anëtar i Akademisë së Shkencave të Maqedonisë, i Akademisë Europiane të Arteve dhe Shkencave (Salzburg), i Akademisë Europiane të Poezisë (Luksemburg) dhe i Akademisë Sllave të Letërsisë dhe Artit (Varna); si dhe një anëtar i jashtëm i Akademisë Serbe të Arteve dhe Shkencave (Beograd). Është profesor në Fakultetin Filologjik Blaze Koneski në Shkup, në Departamentin e Letërsisë Krahasuese. Librat e Vlada Uroshevic janë përkthyer në anglisht, bullgarisht, gjermanisht, danisht, polonisht, rusisht, sllovene, serbisht, frëngjisht dhe spanjisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë