Ne rrjet

Reuters: Irani po planifikon të vendosë një taksë prej afërsisht 1 dollar për fuçi

Nga Gazeta ‘Si’- Të dhënat satelitore konfirmojnë se qarkullimi i mjeteve lundruese në Ngushticën e Hormuzit mbetet në nivele minimale.

Kjo situatë vjen dy ditë pas njoftimit të Presidentit amerikan Trump për një armëpushim dyjavor, me kusht hapjen e kësaj pike strategjike, e cila u bllokua që me nisjen e sulmeve më 28 shkurt.

Sipas Reuters, Irani po planifikon të vendosë një taksë prej afërsisht 1 dollar për fuçi nafte për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, pjesë e një plani të përbashkët kontrolli të propozuar me Omanin.

Raportet tregojnë se tarifat e kalimit mund të arrijnë deri në 2 milionë dollarë për tranzit.

Në tregjet financiare, çmimet e naftës kanë reflektuar pasigurinë mbi qëndrueshmërinë e këtij armëpushimi. Pasi ra nën nivelin e 92 dollarëve menjëherë pas shpalljes së armëpushimit, nafta bruto e llojit Brent u rrit me 2.2%, duke arritur në 96.70 dollarë për fuçi.

Një rritje e ngjashme u shënua edhe për naftën amerikane WTI, e cila u tregtua me 96.90 dollarë.

Sipas vëzhguesve të tregut, luhatjet e çmimeve lidhen me raportimet për vazhdimin e operacioneve ushtarake izraelite në Liban, çka ka vënë në dyshim efektivitetin e armëpushimit të kushtëzuar.

Aktualisht, çmimet e energjisë mbeten më të larta krahasuar me periudhën para-konfliktit, ndërsa autoritetet portuale presin shenja të sigurta për të rinisur lundrimin e plotë në rajon.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë