Art dhe Kulture

Restaurohet shtëpia muze e Sterio Spasses, një atraksion kulturor për zonën

Shtëpia muze e Sterjo Spasses i është nënshtruar një procesi restaurimi.

Pas këtij procesi në muze do të ekspozohen jo vetëm dorëshkrime origjinale të shkrimtarit, por edhe objekte tradicionale të zonës.

“Në fshatin Gollomboç, në Prespë, ku po merr jetë shtëpia-muze e shkrimtarit Sterio Spasse. Falë një bashkëfinancimi ndërkufitar mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, me mbështetjen e Bashkimit Europian, nga një godinë e rrënuar, shndërruar në një kotec pulash, po kthehet në një qendër kulturore për zonën e turistët, që shijojnë peizazhin e mrekullueshëm të këtij fshati”, shkruan ministrja Margariti në “Facebook”.

Shtëpia muze e shkrimtarit Sterio Spasse në Gollomboç të Korçës vjen edhe si një homazh për shkrimtarin dhe një atraksion i ri turistik e kulturor për zonën.

Shkrimtari Sterjo Spasse ka lindur në fshatin Gollomboç të Korcës, më 16 shtator të vitit 1914 dhe u nda nga jeta në Tiranë në vitin 1989.

Spasse ka një veprimtari të gjerë letrare, pasi ka shkruar në shumë zhanre. Ai shkroi punime pedagogjike, tekste shkollore, shkroi artikuj të ndryshëm, monografi, tregime, romane, etj, si dhe është marrë dhe me përkthime.

Veprimtaria e tij, sidomos ajo letrare zë fill që nga vitet tridhjetë të shekullit të kaluar. Kjo ishte një periudhë në të cilën shkrimtari Sterjo Spasse u dallua me krijimet e veta, sidomos në fushën e tregimit dhe atë të romanit. Botoi katër përmbledhje tregimesh: “Kurorë rinie” (1934), “Në krahët e një femre” (1934), “Nusja pa duvak” (1944) dhe “Të fala nga fshati” (1958) si dhe dhjetë romane: “Nga jeta në jetë – Pse!?” më 1935 – që mbahet si kryevepra e tij, “Afërdita” (1944), “Ata nuk ishin vetëm” (1952), “Afërdita përsëri në fshat” (1954), “Buzë liqenit” (1965), “Zjarre…” (1972), “Zgjimi” (1973), “Pishtarë” (1975), “Ja vdekje ja liri” (1978), dhe “Kryengritësit” (1983). Në vitin 1980 iu përkthye në anglisht romani “Zgjimi”.

Restaurimi i shtëpisë-muze vjen si një bashkëpunim ndërkufitar mes Bashkisë së Pustecit dhe Bashkisë së Bitolës, si dhe me ndihmën e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë, dhe me financim nga Bashkimi Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë