Nga Gazeta ‘SI’ – Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, KESH, vijon të eksportojë energji, si rezultat e reshjeve ekstreme të ditëve të fundit në vend, duke arkëtuar 6 mln euro për një javë shitje.
Në ankandin e ditës së sotme, KESH, shiti 31.3 megavatorë energji për mbi 2 mln euro, në dy lote.
Këtë herë, çmimi i shitjes ka rezultuar disa herë më i lartë se ai i ankandit të fundit, 247 dhe 285 euro/MWh. KESH eksportoi për herë të parë pas disa muajsh më 21 nëntor, me vlerë rreth 100 euro/MWh, më pas më 23 nëntor me pothuajse të njëjtat vlera.
Reshjet intensive që shoqëruan fundjavën e shkuar dhe fillimin e kësaj jave, përmirësuan ndjeshëm situatën hidrike në kasakadë dhe shtuan rezervën në Fierzë, e cila ende nuk po shfrytëzohet. Në një njoftim për media, KESH tha se momentalisht prodhimi në HEC-e, plotëson të gjitha nevojat vendase për konsum të energjisë.
Duke qenë se mungesa e reshjeve dhe prodhimi në hidrocentrale ishte arsyeja kryesore pse qeveria konsideroi dhe propozoi një fashë konsumi, mund të ndodhë përsëri shtyrja e saj për muajin dhjetor. (Më datë 1 pritet njoftim i Ministrisë së Energjisë.)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.