Reshjet e ditëve të fundit kanë përmirësuar ndjeshëm situatën hidrike në liqenin e Fierzës që shërben si rregullator edhe për dy hidrocentralet e mëdhenj mbi kaskadën e Drinit, të Vaut të Dejës dhe të Komanit.
Prurjet e lumenjeve u dhjetëfishuan gjatë 24 orëve të fundit dhe shkuan në rreth 900 metër kub ujë në sekondë pas një thatësire të gjatë që solli edhe zbrazjen e liqenit.
Sipas të dhënave për 2 prillin nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare(KESH) niveli i ujit në liqenin e Fierzës, ka kaluar 263 metra mbi nivelin e detit, nga 259 që ishte tre ditë më parë dhe prurjet rreth 800 m3/s.
Pika optimale në liqen është 271 metër, minimale 244 metra ndërsa ajo maksimale kur ka reshje të bollshme shkon në 296 metra.
Në hidrocentralin e Komanit kuota ka shkuar 173 m dhe prurjet 800 m3/s. Heci i Vaut të Dejës është në kuotat 74.8m dhe punon me kapacitet të plotë.
Situata hidrike në kaskadën e Drinit duket që ka përmirësim të dukshëm nga reshjet e ditëve të fundit të cilat kanë rritur prurjet dhe japin shpresë për një përmirësim të situatës energjitike në Shqipëri.
Sot gjithashtu parashikon reshje të dendura shiu në formë shtrëngate në të gjithë territorin e verilindjes, aty ku lumenjtë kryesore që furnizojnë liqenin e Fierzes, Drini i bardhë e Drini i Zi, po shtojnë prurjet e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.