Sociale

Reshjet e dendura të dëborës bllokojnë akset rrugore dhe qindra mjete në Dibër. Në Dardhë kalohet vetëm me zinxhirë

Gazeta Si - Rreshjet e dëborës në Dibër kanë shkaktuar probleme në qarkullimin e automjeteve këtë të shtunë, ku qindra automjete kanë mbetur të bllokuara disa akse.

Sipas të dhënave deri në orën 17:00, trashësia në qytetin e Peshkopisë ka shkuar në rreth 20 cm, në zona të thella deri në 50 cm.

Pasdite nisën reshjet e dëborës në qarkun e Korçës në Pogradec dhe Dardhë, ndërsa që në mëngjes, qarku Kukës, Shkodër dhe Elbasan u zbardh nga reshjet e para të borës për këtë vit.

Policia në një njoftim bën të ditur se për shkak të reshjeve, aksi rrugor Peshkopi-Maqellarë-Bulqizë; Bulqizë-Ura e Vashës-Qafë Murrizë; Peshkopi-Kuben-Kukës, janë të pakalueshme.

Aksi kombëtar Peshkopi-Tiranë është i bllokuar në segmentin Peshkopi-Maqellarë në Dovolan, ku kanë mbetur rreth 100 mjete me qindra persona brenda, si dhe aksi tek pishat e Bulqizës-Qafa e Buallit po i bllokuar.

By-Passi i Murrizit është i bllokuar nga fshati Bastar Murrizë, deri tek ura e Gurit të Bardhë, ku më shumë se 300 mjete janë të bllokuara në dy krahët.

Si pasojë e thyerjes së pemëve, ka mbetur pa energji elektrike i gjithë territori i Bashkisë Dibër bashkë me njësitë administrative.

"Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, janë në gadishmëri të plotë për ti ardhur në ndihmë çdo përdoruesi rruge dhe apelon për drejtuesit e mjeteve që të mos qarkullojnë pa goma dimërore dhe zinxhirë duke shkaktuar trafik dhe bllokim rruge, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të mos bëjnë manovra të rrezikshme në rrugë. Në rast nevoje për ndihmë, telefononi në numrin 112”, thuhet në njoftim.

Zv/Kryeministrja Belinda Balluku nga qarku Dibër, thotë se stuhia e dëborës që ka përfshirë kryesisht veriun dhe juglindjen, pritet të qetësohet rreth orës 19:00.

Zv/Kryeministrja apeloi që qytetarët të shmangin lëvizjet në rastet kur nuk është e nevojshme deri në normalizimin e situatës.

Po ashtu, pasditen e të shtunës, i gjithë territori i qarkut të Korçës është i përfshirë nga reshjet e dëborës. Shërbimet e Policisë Rrugore dhe Patrullat e Përgjithshme kanë shtuar prezencën në të gjitha akset rrugore. 

Firmat kontraktore janë duke punuar me borëpastrueset dhe  duke hedhur kripë. Deri tani, të gjitha akset rrugore janë të kalueshme pa zinxhirë, përveç aksit rrugor që të çon në Dardhë, ku është e detyrueshme vendosja e zinxhirëve. 

Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi se po pastrohen me kripë akset: Kukës-Krumë dhe Kukës-Ura e Zapotit, në segmentin rrugor Dushaj-Sheshi i Trageteve-Lekbibaj në lartësinë mbi 700m, Qafë Thore, Vau i Dejes-Pukë-Kukës, Fushë Arrëz-Qafë Mali-Kukës, Bajram Curri-Valbonë, Ura Bujan-Qafë Morinë-Tropojë-Shipshan-Sopot-Kërrnaje, Bajram Curri-Fierzë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë